1 MAJI, STUDENTI NË PROTESTË

Nga Dorjan
Shkruar ne 25 Pri 2012 ora 3:06pm

1 Maji, si edhe qindra ditët e tjera të vitit, çdo vit po kalon pa lënë asnjë shenjë dhe as që po ia gërvisht sadopak shpinën historisë. Fakti që kjo ditë nuk përbën më asgjë të veçantë vjen prej asaj se çfarë kuptimi kishte kjo ditë, e çfarë kuptimi i japim ne sot. Gjatë regjimit komunist 1 maji shënonte ditën më të rëndësishme të vitit për shqiptarët.

Sipas ideologjisë së atëhershme të gjithë ishin punëtorë e duke qenë të tillë, 1 maji ishte edhe dita e gëzimit, dita e parakalimeve madhështore, dhe dita e festës së madhe për të gjithë. Sot, për 1 maj punëtori i punës së rëndë çlirohet për një ditë nga puna dhe vetëkënaqet me lirinë që i jep dita, nëpunësi i burokracisë çlirohet për një ditë nga detyrimi i punës dhe monotonisë administrative, ndërsa i papuni edhe këtë ditë endet në kërkim të punës.

Kurse ata për të cilët puna është diçka që i përket të kaluarës, 1 maji nuk jua ngacmon kujtesën aspak. Pra sot 1 maji përjetohet si dita e kënaqjes në plogështi dhe e ngrohjes në diell, si ditë e shëtitjes dhe e vërdallosjeve të kota. A thua paskemi mbetur komunist? Mendoj se  problemi më i madh për 1 maj është pikërisht mungesa në masë të madhe e punëtorit tradicional. Por a nuk rrjedhin sot shumica e problemeve sociale prej papunësisë? Sot jemi përballë një realiteti të ri.

Ka shumë fije bashkuese mes 1 majit dhe studentit. Edhe sikur të pranojmë se 1 maji është vetëm dita e punëtorëve, studenti prapë është punëtori në potencial, për aq sa çdo student i të sotmes është në procesin e përgatitjes së shndërrimit në punëtorin e të nesërmes. Por studenti hyn sepse këtë vit 1 maji nuk është vetëm dita e punëtorëve. Manifestimit të kësaj dite i janë bashkuar shumica e sindikatave, lëvizjeve dhe organizatave të palidhura me zorrën e pushtetit, dhe që punojnë për mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e shoqërisë tonë.

Më 1 maj nuk dalin grupe të ndryshme interesi që ju bëjnë presion institucioneve politike, më 1 maj dalin njerëz të organizuar politikisht që ju bëjnë thirrje grupeve të interesit në pushtet të mendojnë e të veprojnë politikisht. Kjo nuk është protestë e asaj që rëndom quhet shoqëri civile por e njerëzve të ushqyer me idetë universale për një shoqëri më të drejtë, të ndërtuar mbi bazën e parimeve të barazisë dhe drejtësisë, si premisa të ndërtimit të një shoqërie të shëndetshme, të begatë, e me individë të çliruar nga nevojat e domosdoshme për jetesë.

Pjesëmarrja e studentëve në një protestë të tillë është më se e domosdoshme së pari për të kërkuar të drejtën bazike për arsim publik falas e cilësor, si pikënisje për zhvillimin e aftësive individual. Për të kërkuar rritjen e cilësisë në universitetet publike përmes përmirësimit të infrastrukturës akademike.

Shtimin dhe zgjerimin e hapësirave fizike me qëllim krijimin e mjediseve të përshtatshme universitare. Krijimin e mundësive për promovimin dhe zhvillimin e kapaciteteve dhe njohurive të fituara gjatë studimeve. Të gjitha këto të drejta duhet të  përbejnë arsye të mjaftueshme që kurdoherë që na mohohen apo na dhunohen, ne të jemi të gatshëm të ngrihemi për ti mbrojtur e për ti ushtruar  ato. Rasti më i afërt është 1 maji…