100-vjetori, Ismail Qemali, monument në Vlorë

Nga Dorjan
Shkruar ne 05 Maj 2012 ora 5:56pm

VLORE- Një monument i Ismail Qemalit do të vendoset në një nga sheshet e qytetit të Vlorës, në prag të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare.

Autori i këtij objekti, skulptori vlonjat Zeqir Alizoti, thotë se përmes kësaj synohet të plotësohet një hapësirë shpirtërore që duket se mungon në Vlorë, e sintetizuar në një vepër arti që ka në qendër protagonistin e Pavarësisë Kombëtare, Ismail Qemalin. 

Me këtë rast, në hollin e Teatrit “Petro Marko” u zhvillua një ceremoni zyrtare ku ishin paraqitur tre variante të këtij monumenti, të realizuara nga Alizoti, mes të cilave do të përzgjidhet më i miri. Të pranishmit, artistë dhe qytetarë të shumtë, vlerësuan nga afër tre modelet e realizuara në miniaturë, por të paraqitura edhe me fotot përkatëse në sheshet respektive ku mund të vendosen.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, tha se, “një komision artistësh që funksionon pranë bashkisë, do të përzgjedhë variantin më të përshtatshëm, ndërkohë që pjesë e procesit do të bëhet edhe komuniteti”. Ai shtoi se, “realizimi i monumentit të Ismail Qemalit është pjesë e programit që ka përgatitur bashkia për të përkujtuar 100 vjetorin e Pavarësisë Kombëtare”.

Mes tre varianteve të ekspozuara, veçon ai ku Ismail Qemali paraqitet në këmbë dhe që, sipas Alizotit, përmbush disa nga kriteret për të qenë fitues. Në të, Ismail Qemali paraqitet në një qëndrim sfidues për ngjarjet që evokon. Ai është parashikuar të vendoset në Sheshin “Pavarësia” përpara godinës qendrore të Universitetit që mban emrin e tij. “Statuja e Ismail Qemalit, e derdhur në bronz në këtë variant, do të ketë një lartësi prej rreth 4.5 metrash dhe së bashku me piedestalin do të arrijë në rreth 7.5 metra”, thotë Alizoti.

Ndërkohë, në një variant tjetër Ismail Qemali i ulur në një kolltuk apo poltronë, paraqitet i menduar, ndërkohë që në një të tretë, heroi i Pavarësisë Kombëtare, është realizuar me elementë modernë, vetëm në kokë, ku spikat në sfond flamuri kombëtar, ndërsa trupi dhe piedestali, janë shkrirë në një element të vetëm. Për variantin fitues, do të vendoset brenda pak javësh, çka do të pasohet nga realizimi në praktikë i monumentit.