100 vjetori rikthen edhe Festivalin e Filmit Shqiptar.

Nga Dinejda
Shkruar ne 27 Pri 2012 ora 2:51pm

TIRANË- Pas gjashtë vitesh mungese, Festivali i Filmit Shqiptar do të rikthehet në edicionin e tij të 13-të në muajin tetor të këtij viti.

Qendra Kombëtare Kinematografike ka çelur aplikimet afati i të cilave është deri në fund të këtij muaji e më pas një komision do të shqyrtojë projektet e dorëzuara për të përzgjedhur ato që do të konkurojnë. Festivali do të zhvillohet në 7 deri në 13 prill. 

Seksioni i filmave artistik do të përfshijë periudhën 2007-2012, ndërkohë që më të shumta prurjet janë në seksionin e filmave dokumentarë dhe me metrazh të shkurtër. Festivali do të ketë katër seksione në konkurrim: filmin artistik, dokumentarin, filmin e shkurtër, filmin e animuar dhe dy seksione të tjera promovuese.

Edhe artistët shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia mund të dorëzojnë prodhimet e tyre filmike e të fitojnë më pas të drejtën për të marrë pjesë në Festivalin e Filmit. Të gjithë filmat e festivalit do të jenë në garë për çmimin e filmit më të mirë, ndërkohë që për çdo seksion do të marrë edhe çmimin e realizimit më të mirë.

Qendra Kinematografike ka lëvruar një fond prej 7 milionë lekësh të reja për realizimin e këtij festivali, por ndërkohë pritet edhe mbështetja nga Komisioni Shtetëror i Festimeve për Festivalin që do të quhet “Festivali XIII i Filmit Shqiptar në 100 Vjet Pavarësi”.

Ndër filmat që janë bërë publik tashmë, festivali mendohet të sjell edhe premiera të reja, ndërkohë që po shqyrtohen mundësitë që të jenë të ftuar edhe artistë të kinematografisë botërore.

Edicioni i fundit i Festivalit të Filmit Shqiptar u organizua në datat 2-9 tetor 2006, ku filmi më i mirë artistik u shpall “Kukumi” i regjisorit kosovar Isa Qosja. Festivali ka filluar në vitin 1976, ndërkohë që çmimin e parë e kanë fituar ndër vite filmat si, “Lulëkuqe mbi mure”, “Gjeneral Gramafoni” , “Dora e ngrohtë”, “Zemra e nënës”, etj.