134 vite nga themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Nga Dorjan
Shkruar ne 11 Qer 2012 ora 1:29pm

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e para organizatë politike mbarëshqiptare brënda në Shqipëri, mbush sot (10 Qershor), 134 vjet nga formimi i saj (1878). Me një platforme ideologjike e një program politik kombëtar, me një strukturë organizative të shtrirë në të gjithë viset shqiptare e të përbërë nga organet lokale e qëndrore, me ushtri dhe me një veprimtari të gjerë propagandistike dhe kulturore, Lidhja Shqiptare e Prizrenit luftoi për çlirimin e vëndit nga robëria osmane, për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut dhe për formimin e shtetit shqiptar. 

Politikisht dhe ideologjikisht kjo Lidhje u formua në kohën kur po ndihej jehona e revolucioneve çlirimtare të Europës dhe Ballkanit. Formimi i saj u përshpejtua pas Traktatit të Shen Stefanit, i cili e gjymtonte tërësinë territoriale të Shqipërisë. Ajo u themelua nga Kuvendi Kombëtar i Prizrenit ku morën pjesë përfaqësues të viseve të ndryshme shiptare dhe ku gjithashtu u miratua statuti dhe “Urdhëresa” ku trajtoheshin aspekte organizative, politike dhe ushtarake te saj.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit ngriti pothuajse kudo degë të saj , krijoi një front të gjërë patriotik duke kapërcyer dallimet klasore , fetare dhe krahinore dhe u bë një forcë e organizuar , duke fituar një autoritet të padiskutueshëm në mbarë vëndin.Lidhja Shqiptare e Prizrenit ngriti me forcë para Qeverisë Osmane çështjen e bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare në një njësi më vete politiko-administrative, që Porta e Lartë në mënyrë të vendosur e kundërshtoi.

Ajo dërgoi në pranverë të vitit 1879 një delegacion të kryesuar nga Abdyl Frashëri, tek Fuqitë e Mëdha të Europës, i cili mbrojti para tyre çështjen kombëtare shqiptare duke kërkuar njohjen e popullit shqiptar si një të pandarë , respektimin kundrejt tij të parimit të kombësisë, dhe ruajtjen e tërësisë territoriale të tij. Ndër betejat më të rëndësishme të kryesuara nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte mbrojtja e Plavës dhe Gucisë , e Hotit dhe e Grudës. Lëvizja për mbrojtjen e tërësisë territoriale u shoqërua me luftën për autonomi. E tronditur nga kjo veprimtari e fuqishme “I sëmuri i Bosforit” ,Qeveria Osmane, hodhi forca të mëdha ushtarake për ta shtypur atë.

Në mars te vitit 1881 u pushtua qëndresa e fundit, Shkupi dhe anëtarët e komitetit të Lidhjes së qytetit u internuan. Edhe pse u shtyp Lidhja Shqiptare e Prizrenit pati një rëndësi të madhe në historinë e popullit shqiptar. Epopeja e madhe që ajo shkroi i dha një shtytje të re Lëvizjes Kombëtare duke ushtruar ndikim të madh në luftrat e mëvonshme për liri. Luftën e tyre për çlirim mbarëkombëtar shqiptarët e mbështetën në idetë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në përvojën e saj politike organizative dhe ushtarake. Në Lidhje morën pjesë figura të shquara si Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Iljaz Pashë Dibra, Ymer Prizreni etj.