17-vjeçarja padit fallxhoren: Premtoi se do më rikthente të dashurin dhe më grabiti

Nga Dinejda
Shkruar ne 24 Pri 2012 ora 6:59pm

TIRANE - Vizita tek fallxhorja i ka kushtuar shtrenjtë një 17- vjeçareje nga kryeqyteti. Pasi i ka qarë hallin se ishte ndarë nga i dashuri dhe punët nuk i shkonin mirë, i ka kërkuar 49-vjeçares Nanije Muhaxhiri që t’i shikojë fatin nëpërmjet filxhanit dhe dorës.

Muhaxhiri me origjinë nga Elbasani, banuese në Fushë Krujë, në shoqëri të dy grave të tjera me anë të mashtrimit dhe duke i premtuar 17-vjeçares M. L se do arrinte ta rikthente me të dashurin i kanë marrë vëthet e floririt dhe disa bizhuteri të tjera.

Adoleshentja disa ditë pas ngjarjes ka kuptuar se ka rënë pre e mashtrimit dhe në shoqërinë e prindërve ka depozituar një kallëzim penal ndaj fallxhores.

Burime të policisë bëjnë me dije se është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i Nanije Muhaxhirit, pasi për të janë depozituar edhe kallëzime të tjera për mashtrim.

Pritet që Gjykata e Tiranës në caktimin e masës së arrestit të marrë parasysh faktin se fallxhorja është nënë e 7 fëmijëve.