” “Koha është para”

Nga Dorjan
Shkruar ne 18 Mar 2012 ora 6:50pm

“Koha është para”, sepse paraja nuk ka atdhe, sepse korrupsioni, ky bashkudhëtar i saj i pandashëm, nuk njeh kufij, se sa vjen e më shumë shqiptarë, si edhe anglo-amerikanë, francezë e italianë, po i lëpijnë, puthin e thithin me afsh e adhurim …ythën kësaj lavireje të pashmangshme që po ua shpërfytyron shpirtin pa mëshirë e me cinizëm”…

Nga Edmond Tupja

Më duhet, që në krye të herës, ta siguroj lexuesin e paanshëm e të vëmendshëm të kësaj rubrike javore se sot nuk kam kurrsesi ndër mend të merrem me ndonjë analizë filozofike të kohës si koncept, por me diçka krejt konkrete, materiale, fare praktike, pra, thjesht me një krahasim identifikues. Po shpjegohem.
Nëse unë i kërkoj lexuesit të më thotë se me çfarë mund ta krahasojë ose identifikojë konkretisht, materialisht, fare praktikisht kohën, ai mund të hutohet, madje të çoroditet për një çast. Po të ndodhë kështu, faji nuk do të jetë i tiji, por i imi që, ndoshta ose me shumë gjasë, madje me siguri, nuk do të kem ditur t’ia bëj pyetjen ashtu siç duhet. Atëherë po e shtroj paksa ndryshe këtë pyetje: “Ç’është koha? Nocion abstrakt apo diçka konkrete? Nëse është konkrete, me çfarë mund të krahasohet?”. Po qe se lexuesi ende ngurron, po i bëj këtë sugjerim: “Hape, të lutem, ‘Fjalorin e gjuhës shqipe’ (Tiranë 2006) te zëri ‘kohë’ dhe do ta gjesh se çfarë është koha kur të lexosh, në faqen 470, fjalën e urtë ‘koha është flori’”.
Koha është flori, pra, koha është e çmuar, sepse askush e asgjë nuk mund të ekzistojnë jashtë saj, të paktën në planetin e në epokën tonë. Prandaj, ne shqiptarët, e krahasojmë me floririn. Po popujt e tjerë me çfarë e krahasojnë? Po t’u hedhim një sy kureshtar fjalorëve njëgjuhësh anglisht, frëngjisht e italisht, – e ftoj lexuesin që i njeh pak a shumë jo keq këto tri gjuhë të ndjekë shembullin tim – do të vërejmë se anglezët dhe sidomos amerikanët thonë “Time is money”, pra, “Koha është para” ndërsa francezët thonë “Le temps, c’est de l’argent”, pra, “Koha është para” (dhe jo argjend siç mund të pandehë ndonjë njohës i sipërfaqshëm i frëngjishtes) dhe italianët “Tempo è moneta”, pra, përsëri, “Koha është para”.
Tani, në epokën e ekonomisë së tregut edhe në Shqipërinë tonë të dashur kapitaliste, në këtë epokë kur gati gjithkush e gjithçka (majtas e djathtas, poshtë e lart, para e prapa) blihet me para, kur gjithnjë e më shumë njerëz i falen Perëndisë “para”, i shiten asaj me mish e me shpirt dhe, njëkohësisht, janë gati të shesin nënë e baba, motër e vëlla, grua e të dashur, bir e bijë, në këtë epokë, pra, të thuash “Koha është flori” tingëllon paksa anakronike, jashtë mode, prandaj le të themi, duke ndjekur shembullin e anglo-amerikanëve, e francezëve dhe të italianëve, në shqipen tonë përherë e më të përçudnuar, “Koha është para”, sepse paraja nuk ka atdhe, sepse korrupsioni, ky bashkudhëtar i saj i pandashëm, nuk njeh kufij, se sa vjen e më shumë shqiptarë, si edhe anglo-amerikanë, francezë e italianë, po i lëpijnë, puthin e thithin me afsh e adhurim …ythën kësaj lavireje të pashmangshme që po ua shpërfytyron shpirtin pa mëshirë e me cinizëm.
Ndoshta ose me shumë gjasë, madje me siguri, lexuesi po nënqesh para se të më pyesë me qesëndinë e tij të hollë: “Po ju, zoti Tupja, ç’marrëdhënie keni me paranë?”. Përgjigjja ime është e thjeshtë: “E fitoj dhe e shpenzoj paranë për të jetuar dhe jo për të sunduar”, madje, në dashtë ai, lexuesi, të dijë arsyen e thellë të përgjigjes sime, do t’i përgjigjem me një fjalë të urtë që mund ta gjejë po në faqen 470 të “Fjalorit të gjuhës shqipe” (Tiranë 2006), fill pas fjalës së urtë “Koha është flori”; kjo fjalë e urtë thotë se… Ah, po sikur të mos ia tregoj tani për tani lexuesit se ç’thotë kjo fjalë e urtë duke e detyruar ta hapë fjalorin në fjalë dhe ta… Oh, po sikur të mos e ketë fare këtë fjalor në shtëpi?… Atëherë le të shkojë në bibliotekën e qytetit dhe të… Ha, ha, ha! Po sikur të mos e çajë fare kokën për fjalën e urtë që unë ende ia mbaj të fshehur dhe ta flakë tutje gazetën me gjithë shkrimin tim? Në rregull, pra, po tërhiqem në çast e po i kërkoj ndjesë: fjala e urtë që sapo e mbështolla me aq mister është: “Koha s’lidhet me litar”, çka do të thotë se të gjithë ne jemi vdekatarë dhe se paratë që pasanikët tanë zengjinë të rinj (biznesmenë të fuqishëm apo politikanë qofshin ata – në pushtet apo në opozitë), i lakmojnë e i fitojnë me aq babëzi dhe shpesh pa asnjë skrupull, nuk merren me vete në botën e përtejme (d.m.th. të nëndheshme, ku na presin me shumë durim e dashuri krimba, kandrra, buburrecë e lloj-lloj brejtësish anonimë). Rrjedhimisht, ashtu si koha, as paraja nuk lidhet me litar!