Policia: Viktor Gushi kreu 16 krime e grabitje të ndryshme

Nga Dorjan
Shkruar ne 30 Mar 2012 ora 4:08pm

Tiranë – Viktor Gushi, i arrestuar në Tiranë, një ditë me parë, dyshohet se është autori i 16 ngjarjeve  të rënda kriminale, kryesisht grabitje me armë të bankave.

Kjo u bë e ditur sot,  në një konferencë shtypi nga  Drejtori i Policisë së Tiranës, Bernard Caushaj, i cili theksoi se grupi hetimor ka arritur  të dokumentojë   me prova ligjore 16 ngjarje të rënda kriminale, të ndodhura vitet e fundit ne Tiranë, me autor të dyshuarin shtetasin Viktor Gushi, i arrestuar pasditen e së enjtes.

Sipas Çaushajt, Gushi ka pranuar autorësinë në këto ngjarje të rënda, duke dhene sqarime ne rajonin e policisë.

Viktor Gushi, 44 vjec nga Fieri, është një person me precedent penal,  pasi ka qënë i dënuar në Greqi për shpërndarje të lëndeve narkotike. Prej 5 vitesh ai jetonte i vetëm në Tiranë, ndësa  ishte frekuentues i rregullt i lojrave të fatit.

Gjatë opercionit për kapjen e tij, forcat e policisë i bllokuan një pistolete tip TT me fisheke, por dhe doreza e  maska, të cilat janë përdorur në ngjarjet e rënda kriminale.

Drejtori i Policise Bernard Caushaj, duke dhënë detaje për çështjen pohoi se, veprimtarinë kriminale, i arrestuari e ka zhvilluar i vetëm.

Viktor Gushi,  u arrestua pasditen e së enjtes në një operacion të mirëorganizuar nga policia e Tiranes, në bashkepunim me prokurorine, pas një hetimi intensiv. Ai u arrestua  48 orë pas tentativës së vjedhjes me armë të filialit të   NBG Bank pranë sheshit “Shtraus”, në Tiranë,  ku si pasojë e përdorimit të armes mbeti i plagosur, roja i bankës, shtetasi Skënder Elmazi si dhe u plagos, duke gjetur vdekjen më pas në spital, punonjësja e bankës, shtetasja Leonora Kaloci.

Nderkohë, i arrestuari akuzohet për disa grabitje me armë si banka, posta etj,  ndër to grabitjen e argjendriesë  me pasojë vdekjen e shtetasit Rrapo Sinani, ngjarje e ndodhur në Tiranë më datë 21 Tetor 2011.

Çështja ndaj tij i kaloi per hetimete metejeshme prokurorisë.