61 artistë në garë për monumentin e 100-vjetorit të Pavarësisë

Nga Dinejda
Shkruar ne 22 Mar 2012 ora 12:39pm

Në përfundim të Konkursit Ndërkombëtar për Monumentin e 100-vjetorit të Pavarësisë, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi dhe Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve Rubens Shima, në një konferencë për shtyp dhanë detajet e konkurrimit dhe bocetet e paraqitura.Konkursi është shpallur më 22 dhjetor 2011 dhe është mbyllur më 15 mars të këtij viti, ndërsa të gjitha bocetet janë mbledhur nga Galeria Kombëtare e Arteve.Ministri Bumçi tha se ftesës së MTKRS-së dhe GKA-së i janë paraqitur 61 artistë me rreth 80 bocete, ndër të cilët 26 artistë nga Shqipëria, 13 nga diaspora, 8 nga Maqedonia dhe Kosova si dhe 14 artistë ndërkombëtarë.Ndërsa Drejtori i GKA-së, Rubens Shima, e cilësoi këtë si një ndër konkurset me pjesëmarrjen më të lartë gjatë këtyre 20 viteve të fundit.Juria e Konkursit është e përbërë nga Pio Baldi, Drejtor i Muzeut të Artit të shek.21 në Romë; Huan Bordes, akademik, skulptor dhe arkitekt, anëtar i Akademisë Mbretërore të Arteve të Bukura të Spanjës; Rubens Shima, Drejtor i GKA-së; Aurel Plasari, Drejtor i Bibliotekës Kombëtare; Shyqri Nimani, artist dhe akademik nga Kosova; Ali Oseku, artist dhe profesor në Akademinë e Arteve të Bukura; Mumtas Dhrami, skulptor; Parid Teferiçi, artist murator dhe Marin Biçoku, arkitekt urbanist.Juria fillon punën në datë 18 mars dhe tri ditë më pas do të vlerësohen 5 bocetet më të mira me sistem pikësh. Ato do t’i paraqiten Komisionit Shtetëror të Festimeve pranë kryeministrit.Nga data 22 deri më 25 mars në GKA të gjitha bocetet pjesëmarrëse do të mund të vizitohen falas nga publiku.Ministri Bumçi njoftoi gjithashtu se MTKRS në bashkëpunim më GKA brenda këtij viti do të shpallë gjithashtu edhe konkurse publike për realizimin e 4 monumenteve të tjera, të cilat janë: shtatore kushtuar Ismail Qemalit, shtatore kushtuar Mbretit Ahmet Zog, Shtatore kushtuar Hasan Prishtinës si dhe Monumenti kushtuar Kongresit të Lushnjës. Ky monument do të vendoset në këtë qytet, ndërsa 3 shtatoret e tjera  do të vendosen ne Tiranë.Ndërsa monumentet e realizuara nga MTKRS të cilat pritet të vendosen, janë: monumenti i Azem Hajdarit, 3 metra i lartë, realizuar nga skulptori Hektor Dule, dhe monumenti i ish-Presidentit Amerikan Udrou Uillson, 3.3 metra, realizuar nga skulptori Gent Tabaku.