Ngacmimet seksuale në punë, shumë e lehtë të dënosh eprorin

Nga Dorjan
Shkruar ne 26 Pri 2012 ora 6:01pm

Qeveria është duke shqyrtuar ndryshime të rëndësishme në Kodin e Punës, të cilët prekin anëtarët e administratës publike të vendit si edhe ata që janë të punësuar nëpër ndërmarrje private. Ndryshimet janë duke i diskutuar aktualisht me grupet e interesit dhe në përfundim pritet të kalojnë për miratim në mbledhje qeverie.

Ndryshimet fillojnë nga penalitetet në rastet e diskriminimeve për marrje apo largim nga puna nga ana e punëdhënëse e deri tek kushtet e punës që u duhen siguruar punëmarrësve. Ndryshimet u diskutuan edhe dje në një konferencë të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë. Ligji i kushton një rendësi të veçantë ngacmimeve seksuale në vendet e punës nga ana e eprorëve apo kolegëve, për të cilat nga studime të ndryshme ka dalë se janë në fenomen i përhapur. Kodi aktual i punës ndalon në mënyrë të përgjithshme ngacmimet seksuale në vendin e punës duke detyruar punëdhënësin që të mos lejojë ngacmime seksuale në vendet e punës.

“Punëdhënësi ndalohet të kryejë çdo veprim që përbën shqetësim seksual karshi punëmarrësit dhe nuk lejon kryerjen e veprimeve të tilla nga punëmarrësit e tjerë. Me shqetësim seksual kuptohet çdo shqetësim që dëmton në mënyrë të dukshme gjendjen psikologjike të punëmarrësit për shkak të seksit”, – përcaktohet në kodin aktual. Ndërkohë, ndryshimet e propozuara sëfundmi parashikojnë specifikimin e rasteve por edhe detyrimin e të akuzuarit për të vërtetuar të kundërtën. Në këtë rast, nuk është vetëm punëdhënësi ai që nuk duhet të lejojë ngacmimet me sfond seksual, por kur përballet me një akuzë të tillë, i akuzuari duhet të vërtetojë se nuk e ka bërë një gjë të tillë. “I takon personit i cili pretendohet se ka kryer shqetësimin seksual ndaj punëmarrësit, të provojë që nuk ka ushtruar asnjë nga format e sipërcituara te shqetësimit seksual”, – sugjerohet nga qeveria që të vendoset në kodin e ri.

Një përcaktim i tillë është një mbrojtje më shumë për punëmarrësit që janë përballen me situata të tilla në vendet e tyre të punës, megjithatë në formën se si është propozuar është delikat pasi çdokush mund të akuzojë çdokënd nisur edhe nga rrethana të tjera, duke i shkaktuar një serë andrallash të padrejta kolegut apo punëdhënësit. Ligji është ende në fazë diskutime dhe deri në miratimin e në mbledhje qeverie, pritet të diskutohet përsëri me grupet e interesit.

 

Punonjësit, nuk ka para në vend të lejes vjetore

Nuk janë të paktë ata që për një arsye apo tjetër nuk kryejnë lejen vjetore të parashikuar në Kodin e Punës duke marrë në këmbim pagën e përcaktuar plus shtesat. Kjo praktikë pritet të marrë fund së shpejti. Punonjësit e administratës publike apo të punësuarit në bizneset private, nuk do të lejohen të mos bëjnë lejen vjetore pavarësisht pretendimeve të tyre. Propozimi i qeverisë është tepër i prerë në këtë drejtim dhe bazohet mbi logjikën se trupi i njeriut e ka të nevojshme rigjenerimin pas lodhjes së nga puna gjatë gjithë vitit. “Marrëveshjet dypalëshe midis punëdhënësi dhe punëmarrësit nuk zbatohen për pushimet vjetore të paguara”, -përcaktohet në kodin e propozuara nga qeveria. “Kodi nuk do të lejojë mosbërjen e lejes vjetore nga të punësuarit. Duhen bërë pushime pasi sipas standardeve të ILO-s (Organizata Ndërkombëtare e Punës) është i domosdoshëm rekuperimi i energjive të humbura gjatë vitit”, – shpjegoi Vasil Dodi, drejtor i Politikave të Inspektimit dhe Marrëdhënieve të Punës në Ministrinë e Punës dje gjatë konferencës së organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.

Ligji parashikon një serë lehtësish të tjera për punonjësit për sa i përket lejes vjetore. Kështu, në rastet kur ka marrë lejen vjetore por ka qenë i sëmurë apo ka pësuar aksident dhe për shkak të kësaj është detyruar të rrijë në shtëpi/spital, ajo shtyhet dhe mund të bëhet e plotë kur punëmarrësi të jetë shëruar. Në çdo rast, sëmundja apo aksidenti duhet të vërtetohen me anë të një raporti mjekësor. Leja vjetore shtyhet edhe në rastet kur ditët e lejes përkojnë më ditë pushimi zyrtar për shkak të festave zyrtare. “Pushimet vjetore nuk përfshijnë ditët e festave zyrtare. Nëse festa zyrtare bie ditën e pushimit vjetor me pagesë, pushimi vjetor shtyhet. Pushimi vjetor shtyhet, kur punëmarrësi gjatë periudhës së këtij pushimi

Ndryshime të tjera të rëndësishme kanë të bëjnë përshembull edhe me detyrimin që ka punëdhënësi për t’i ofruar lidhjen e një kontrate me shkrim punëmarrësit që në momentin e marrjes në punë dhe jo një muaj më pas siç parashikon kodi aktual. Një risi në këtë kod është edhe dhënia e tre ditëve leje me pagesë ndaj bashkëshortit në rastet kur bashkëshortja lind fëmijë. Kodi aktual parashikon leje të tilla vetëm në rastet e sëmundjeve apo ndarjeve nga jeta të të afërmve të punonjësit. Në rastet e martesave apo ndarjeve nga jeta, kodi aktual parashikon pesë ditë leje, kurse për sëmundjet parashikohen dhjetë ditë leje. Qeveria nuk ka propozuar ndryshime në këtë drejtim.

 

Paguhet 125 % më shumë kush punon gjatë festave zyrtare

Puna e kryer gjatë ditëve të pushimit javor dhe ditëve pushim për shkak të festave zyrtare nuk do të paguhet njëlloj. Kodi i ri i punës parashikon ndarjen në pagesë të këtyre ditëve ndryshe nga ai që është aktualisht në fuqi. Kështu, çdo punonjës që del në punë në një ditë pushimi javor (të shtunë apo të diel) paguhet për ditën që ka punuar plus një shtesë jo më të vogël se 25 për qind. Punonjësi mund të zgjedhë që të mos marrë pagesë, por ditën e punuar ta bëjë pushim. Në këtë rast, ai bën pushim ditën që ka qenë në punë plus një shtesë kohore jo më pak se 25 për qind.

Ndryshimi është bërë pikërisht në ditët e punës gjatë festave zyrtare, siç janë përshembull festat e nëntorit. Aktualisht, për çdo ditë punë të kryer gjatë festave zyrtare, punonjësi merr pagesën ditore plus një shtesë jo më pak se 25 për qind ose këtë mund ta kompensojë duke marrë një ditë pushim plus shtesën e kohës prej jo më pak se 25 për qind. Kodi i ri i punës parashikon që në rastet kur punonjësi punon gjatë festave zyrtare, ai të marrë pagën ditore që i takon plus një shtesë jo më pak se 125 për qind. Kjo shtesë vlen vetëm nëse punonjësi zgjedh të kompensohet financiarisht dhe jo në rastet e kompensimit më ditë pushimi.

Një ndryshim tjetër ka të bëjë me orët e punës shtesë. Asnjë punonjësi nuk duhet t’i kërkohet të bëjë orë pune shtesë në rastet kur ka plotësuar 48 orë punë në javë.

 

Pushimet pa shkak, rritet dëmshpërblimi për punonjësit

Punonjësit që do të shkarkohen nga puna pa një shkak të arsyeshëm nga ana e punëdhënësit pritet të mbështeten edhe më tepër nga kodi i ri i punës. Në çdo rast, nëse punonjësi vëren se është shkarkuar pa arsye, mund të shkojë në gjykatë duke përfituar deri në një vit pagë plus muajtë që duhej të ishte lajmëruar për zgjidhjen e kontratës. Ndryshimet e propozuara parashikojnë që të zgjasin edhe më tepër kohën e përfitimit të punonjësit. Sipas këtyre ndryshimeve, koha për të cilën punëdhënësi është i detyruar që të dëmshpërblejë punëmarrësin për zgjidhje pa shkak të arsyeshëm të kontratës së punës fillon nga momenti i dërgimit të çështjes në gjykatë dhe deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë nga ana e kësaj të fundit. Duke marrë parasysh se sa zgjasin çështjet gjyqësore këtu, një ndryshim i tillë në parim rrit përfitimet e punonjësve.

Zgjidhje pa shkak të kontratës së punës konsiderohen edhe largimet për shkak të diskriminimit seksual, racor, shtatzënisë, besimit fetar, bindjeve politike etj. Ligji i shton kësaj liste edhe largimin nga puna për shkak të sëmundjes me HIV AIDS të punonjësit apo edhe të homoseksualëve. Nëse punonjësi pretendon se shkak për largimin e tij është një ndër nga këto të mësipërmet, ligji detyron punëdhënësin që të vërtetojë që largimin nuk është bërë për shkak të diskriminimit por për një tjetër arsye objektive.

 

Risitë e kodit

Është e detyrueshme kryerja e lejes vjetore, nuk mund të merren para në këmbim të saj

Kush punon më gjatë festave zyrtare paguhet 125 % më shumë

Leja vjetore shtyhet ku punonjësi sëmurët apo pëson aksident gjatë kryerjes së saj

Është i akuzuari për ngacmim seksual në punë ai që duhet të vërtetojë të kundërtën

Bashkëshorti merr 3 ditë leje me pagesë kur lind bashkëshortja

Kur lajmërohet për largim nga puna, punonjësit i duhen lejuar 4 orë pune të paguar në javë për të kërkuar një punë të re

Në rast largimi pa shkak nga puna, periudha e dëmshpërblimit fillon nga dërgimi i çështjes në gjykatë deri në dhënien e një vendimi të prerë nga kjo e fundit