Aeroporti i Pragës do të mbajë emrin e Vaclav Havel

Nga Dorjan
Shkruar ne 22 Mar 2012 ora 5:10pm

Aeroporti i Pragës do të mbajë emrin e ish-presidentit çek Vaclav Havel, duke filluar që nga 5 tetori 2012, datë që përkon me 76-vjetorin e lindjes së Havelit.

Këtë ndryshim e bëri të ditur ministri çek i Transportit, Pavel Dodes, duke nënvizuar se e veja e Havel, Dagmar, e ka pranuar projektin.

Ky vendim u mor nga qeveria çeke pas një peticioni për ndryshimin e emrit të aeroportit i nënshkruar nga 82 mijë njerëz.

Ish-presidenti, i njohur si heroi i të ashtuquajturit Revolucioni i Kadifenjtë, ndërroi jetë në moshën 75-vjeçare më 18 dhjetor të vitit të shkuar.