Agim Krajka: Kultura e popullit tim nuk përfaqëson këngët që tregojnë pjesët e trupit

Nga Dinejda
Shkruar ne 20 Pri 2012 ora 8:24pm

Mjeshtri i madh në krijimtarinë muzikore shqiptare, kompozitori Agim Krajka, i cili e ka pasur gjithnjë bazë frymëzimi folklorin flet sot për një traditë në zhdukje të kulturës shqiptare. I njohur ndër vite me kompozimet e tij në këngë të muzikës së lehtë, popullore, valleve apo dhe muzikë filmash, në intervistën dhënë për gazetën “Sot”, kompozitori i druhet një shthurjeje gjithnjë e më shumë të traditës.Kompozitori nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, pohon se pas 16 vitesh emigrim në Amerikë u kthye në Shqipëri, por gjeti një realitet ndryshe nga ai që kishte lënë në krijimtarinë muzikore shqiptare. Keqardhje kompozitori i njohur pohon se ndjen dhe për rininë shqiptare, që sipas tij nuk po edukohet me vlerat e kombit, të cilat ai i quan jetësore për jetën dhe kulturën.
-Jeni një emër i njohur i krijimtarisë muzikore shqiptare, si në muzikën e lehtë dhe në atë popullore, muzikë filmash, etj. Por a mendoni se gjatë këtyre dy dekadave është bërë aq sa duhet për krijimtarinë muzikore, veçanërisht për atë folklorike?
Më herët ekzistonte fshati me të gjithë tiparet e veta, me gjuhën, zakonet që e kishin trashëguar gjenerata të tëra. Në atë kohë nuk kishte pseudorganizime, por ishte një organizim që i interesonte edhe sistemit në atë kohë, por kishte një gjë, që fshatari ishte autokton në fshatin e vet me gjuhën, traditën dhe zakonet. Deshte, s’deshte edhe ai ishte krijues, qoftë në muzikë, poezi etj, dhe nuk kishte asgjë tjetër përveçse të riprodhonte atë që ishte trashëgimi nga fshati i tij. Por unë pyes në këto më shumë se 20 vjet ky është ky fshat? Fshatarët kanë ikur nga fshatrat, kanë shitur tokat, etj, dhe janë në qytete apo vende të tjera. Nuk kam asgjë kundër kësaj që ata kanë lëvizur nga fshatrat dhe sigurisht për një jetë më të mirë, por ama ne nuk duhet të kemi sot pretendime, sepse sot nuk e kemi më fshatin me zakonet dhe traditën e tij popullore, por në emër të kësaj lirie dhe demokracie sot ne po humbasim kulturën tonë. E them këtë sepse sot ne nuk e kemi më fshatin që krijonte dikur ato valle apo këngë të bukura popullore. Edhe pse në atë kohë kishte interesa partiake, vëmendja ndaj folklorit kishte dhe një organizim. Në çdo fshat çonte një njeri të arsimuar që dinte ti binte një vegle muzikore, kitarë, fizarmonikë,etj, dhe e kishte si detyrë që çdo vit krijohej një aktivitet me kulturën e atij fshati, dhe më pas shumë fshatra bashkë krijonin dhe festivalin e një rrethi. Dhunimi i folklorit sot është dhe sepse atje ku buronte folklori nuk ka më krijues.
-Një nga veprimtaritë më të mëdha folklorike ka qenë dhe Festivali Kombëtar i Gjirokastrës. Si i kujtoni vitet, kur ai sillte me qindra folkloristë në skenë?
Festivali Kombëtar i Gjirokastrës ishte një aktivitet i madh mbarëkombëtar. Ajo muzikë që kultivohej, ato arritje që ishin në të gjitha drejtimet, ishin të gjitha në televizion apo në radio. Por sot ku e kemi këtë? Sa orë në ditë jep televizioni Klan, Top-Channel, etj, muzikë popullore? Kur u vjen puna se duhet ta bëjnë këtë ata mund të bëjnë vetëm ndonjë koncert, por ama duke e përjashtuar vitin e kaluar ky u bë një organizim i këngëve popullore, nuk ka asgjë tjetër që të sjellë në vëmendje këtë krijimtari. Duhet të jetë e përhershme vëmendja ndaj asaj krijimtarie popullore, është kultura dhe tradita jonë. Më vjen keq që pas ndërrimit të sistemit është bërë festivali i Gjirokastrës dhe askush nuk e merr vesh se kur bëhet! Nuk merret vesh se çfarë të rejash solli, cilat ishin çmimet etj. Kjo ndodh sepse mediat janë të interesuara për të tjera gjëra. Unë sot pyes se çfarë bëhet me kulturën tonë, çfarë po bëjnë mediat televizive për ti treguar botës që ne jemi shqiptarë? Unë kam disa vite që jam kthyer nga Amerika në Shqipëri dhe nuk e di se kur zhvillohet festivali i Gjirokastrës, madje edhe kur bëhet, këtë aktivitet folklorik dikur madhor, sot e shikoj si një festë Pashke apo Bajrami. Festivali i Gjirokastrës ka pasur jehonë të madhe dhe nuk e harroj kurrë në jetën time. Ne si Ansambël Kombëtar nga ai festival merrnim shumë, sepse ishte dhe një burim i madh për ata që deshën kulturën, por ishte dhe një kënaqësi shumë e madhe që në një Shqipëri të vogël, të gjeje kaq pasuri në folklor. Tani që na mungojnë të gjitha mua më vjen jashtëzakonisht keq. E them këtë sepse për 500 vjet nga një Turqi të pushtuar, ajo nuk arriti dot të na dhunojë folklorin tonë, as gjuhën dhe muzikën. Kjo është meritë e kombit tonë që e ruajti kaq shumë traditën dhe kulturën.
-Sa punohej për festivalin e Gjirokastrës në ato vite, ku ishin më shumë përgatitjet?
Mbahej një përgjegjësi shumë e madhe në atë kohë për këtë festival. Ishte një përgjegjësi tmerrësisht e madhe, por ama edhe investohej shumë nga shteti për këtë aktivitet. Vërtetë investonte për interesat e veta shteti, por ama kishte rëndësi se si monumentalizoheshin vallet dhe këngët në kulturën dhe traditën e popullit. Ata e dinin dhe prandaj investonin. Vërtetë kishte elozhe për partinë, por popullit i mbeste një valle e bukur, një kostum i bukur, një kostum i bukur. Krijimtaria ishte shqip. Prandaj sot them se më vjen tmerrësisht keq, janë të gjithë toponime të huaja. Mua sot me më lënë në mes të Tiranës, nuk di të dal. Nuk themi sot ABC në shqip, por e shqiptojmë në anglisht? S’e marr vesh ç’janë gjithë këto, duke pasur gjuhën tonë të bukur. Ashtu si thashë dhe pak më lart, nuk ndjej asgjë nga veprimtaritë folklorike edhe pse kam vite që jam kthyer të jetoj në vendin tonë. Nuk shikoj asnjë krijimtari të re gjatë këtyre 20 viteve, dhe kjo veçanërisht në sferën e folklorit. Gjirokastra në vitet kur zhvillohej festivali më kujtohet se ishte një qytet i hulumtuar nga e gjithë Shqipëria.
-Kemi dhe institucione shtetërore që merren me veprimtaritë folklorike, por çfarë mendoni për funksionin e tyre sot?
Të gjitha sferat institucionale janë, dhe shqetësohem që të gjithë strukturat administrative që merren me këto punë pse nuk funksionojnë. Kjo ndodh ashtu siç nuk funksionon Zyra Shqiptare e së Drejtës së Autorit. Sot shfaqen filmat me muzikën tonë, transmetohet muzika jonë dhe askush nuk kujtohet, dhe ne nuk kemi marrë as dhe 100 lekë të vjetra. Unë jam autor muzike i 9 filmave shqiptarë, dhe kujtoj këtu dhe krijimtarinë e pasur muzikore, me këngë të lehta, këngë dhe valle popullore. Sot bëhen CD brenda natës dhe as emrin e kompozitorit nuk e vënë. Kjo është një dhunë barbare, më vjen keq dhe nuk di ç’të them. Nuk fajësoj qeverinë, por kanë faj strukturat shtetërore që janë vënë për këtë punë, këtyre iu duhet kërkuar llogari për investimet.
-Po etnografia, sa është ruajtur sot?
Nuk jam historian i folklorit shqiptar, por më vjen mirë të them se kam qenë viktimë e këtij folklori. Dhe kjo sa i takon krijimtarisë, kam qenë i dashuruar me folklorin që kur mu krijua vetëdija që jam shqiptar dhe u shkollova. Unë shkoja në zona të ndryshme, si Bilishti ku shikoja krijimtarinë, shkoja në Konispol ku dëgjoja muzikën çame, një perlë të folklorit shqiptar. Krijova dy-tre valle çame ku Ansambli i Shtetit mori edhe çmime si në Dizhon të Francës, dhe jo vetëm me muzikën por dhe me kostumin popullor, me fisnikërinë se si kërcehej vallja çame, dhe me pasurinë folklorike. Nuk ke se çfarë ti thuash, Ersekës, Bilishtit, Çamërisë, etj, për folklorin e pasur. Por unë sot nuk i dëgjoj më. I jam kushtuar gjithë jetës sime folklorit dhe kam qenë mbi 30 vjet në Ansamblin e Shtetit, si fizarmonicist, dirigjent dhe kompozitor, dhe kisha kënaqësi kur shkoja në fshatra dhe shikoja atë pasuri me melose shqiptare. Më vjen keq që ne kemi një muzeum të madh me vlerë folklorike, dhe sot të vetmit që nuk e njohim jemi ne.
-Pak më lart ju përmendët se gjatë këtyre dy dekadave nuk keni parë krijime të reja me vlera dhe veçanërisht në folklor, por gjithashtu theksoni se kemi pasuri në kulturë. Po sot pse nuk shfrytëzohet kjo pasuri kulturore?
Kjo pasuri në traditën dhe kulturën tonë nuk ka vëmendje, sepse tani po propagandohen gjërat që ne qenkemi të vonuar në botë për të bërë këngë se sa këmbë apo trup të bukur ka një femër. Që kur ka lindur njerëzimi, janë hulumtuar dhe dihet që gruaja e di se kush është burri, por dhe burri e di se kush është gruaja, dhe se kuptoj se çfarë të reja na sjellin sot televizionet që na mbytën me këngë ku tregohen pjesët e trupit. Kjo nuk është kultura e popullit tim. Mirë të rinjtë, por ato gjenerata që kanë sakrifikuar me gjak e sakrifica për kombin, çfarë po i shijojnë. Çfarë ti them sot Tiranës, që na ka mbytur muzika tallava, është bërë biznes.
-Po me brezin e ri sipas jush çfarë do të ndodhë, nëse vijon mosvëmendja ndaj kulturës?
Më vjen keq, por ne po mundohemi ta kthejmë brezin e ri në një turmë. Me ato rroba që flenë me ato shkojnë në shkollë, dhe i shikoj përditë dhe as nuk dinë asgjë për kulturën tonë. Këtij brezi do ia besojmë Shqipërinë? Jo, më vjen keq por në emër të hyrjes në Europë ne po e kthejmë rininë në një turmë, që turma nuk di nga ka ardhur dhe nuk di nga të shkojë.
-Në jetën tuaj artistike jeni i njohur jo vetëm në krijimtarinë e muzikës së lehtë, por dhe në atë popullore. Si kujtoni kohën tuaj me Ansamblin Popullor?
Puna ime me ansamblin ka qenë një hulumtim i madh që kam pasur fatin të punoj për më shumë se 30 vjet me të. U mbarsa me një kulturë që nuk di ç’të të them. Sikur ta kisha jetën edhe 300 vjet të tjerë, dhe të kisha kushtet që unë të shkruaja dhe të materializohej ajo muzikë unë do të kisha shkruar thellësisht bukur shqip. Ne kemi qenë shumë fanatik ndaj dhunës së të huajave. Unë kam qenë për shumë vjet drejtues artistik i Ansamblit të Shtetit dhe kisha muzikantë të shkëlqyeshëm, investohej që në shkolla. Mbaje përgjegjësi të madhe, për këngëtarët, instrumentistët. Nuk kishte asgjë jashtë asaj tradite. Ishin kërkesa dhune, por në dispozicion të ruajtjes së traditës dhe zhvillimit të kulturës. Më kujtohet që unë i bija kryq e tërthor me fizarmonikë në krahë territorit të Shqipërisë, për më shumë se 30 vjet kam hulumtuar çdo fshat për krijimtarinë. Sot unë nuk di që ka njerëz që merren me krijime folklorike, por di që ka njerëz që merren me krijime që futen në studio, me tastiera, as notat nuk njohin. Në jetën time kam bërë 500 valle popullore dhe ka qenë një punë që vinte nga hulumtimi për folklorin shqiptar, ndërsa sot nuk ekziston.