Agim Merdani: S’fusim në familje të panjohur, si Françeska

Nga Dorjan
Shkruar ne 10 Maj 2012 ora 3:00pm

TIRANE-Është 52 vjeç dhe ka një profesion që s’e lidh aspak me televizionin, ndërsa punon për biznesin e tij, një dyqan veshjesh. Agim Merdani, babai i Ermalit të BB5, tregon se si iu duk hyrja në shtëpinë e “Big Brother 5” e babait të Françeskës, dhe komunikimi me djalin e tij. Ndërkohë që loja po i afrohet zonës së nxehtë në këto katër javët e fundit, ai tregon për përshtypjet e tij, dhe sa të fortë e sheh Françeskën si rivale të Ermalit, e nëse ajo është vajza e duhur për të qenë në krah të të birit pas daljes se tyre nga shtëpia. 
Të shtunën e kaluar pamë një përballje që nuk ndodh shpesh në ekran. Një baba takon të dashurin e vajzës së tij vetëm në pak kohë njohje të tyre. Si e përjetove këtë takim?
Të them të drejtën, nuk e prisja, dhe u bëra madje kureshtar dhe unë se si do sillej djali im në atë takim. Po Ermali si gjithmonë di t’u bëjë ballë situatave të paparashikueshme, që të them të drejtën janë paksa delikate për djemtë e rinj sot. Ai me shumë mirësjellje dhe me spontanitet e bëri të atin e Françeskës të ndihej sikur e njihte prej kohësh. Meritë e Ermalit kjo.
Ti do ta kishe bërë një gjë të tillë, qoftë edhe nëse ky veprim do shkonte në mbështetje të Ermalit?
Jo, unë vetë s’do e kisha bërë kurrë, pasi jam pak skeptik në këto gjëra. Nuk preferoj të shfaqem dhe as të përzihem në punët e djalit. Preferoj të qëndroj në pritje, deri në marrjen e vendimeve nga vetë ai.
Disa e komentuan në njëfarë mënyre si një presion i babait të Françeskës ndaj Ermalit, duke i paraprirë një loje të mundshme nga ana e tij në lidhjen me vajzën. Ju e shihni si të tillë?
Jo, nuk besoj se ishtë presion por gjithsesi në letrën që ai i kishte shkruar Ermalit, i thoshte që kjo ishte një lojë. Kështu që më shumë se presion, preferoj ta marr si lojë nga ana e tij.
U komentua po ashtu si një lloj imponimi, ose si për mënyrë t’ia vënë këmbët në një këpucë Ermalit…
Nuk dua fare të mendoj gjëra të tilla. Sidomos sot, kur nuk mund të imponosh dot askënd, veçanërisht kur është puna për çështjet e zemrës.
Meqë jemi te çështjet e zemrës, një deklaratë që bëri përshtypje nga babai i Françeskës në media, ishte që paraja i ndan njerëzit dhe ndoshta rivaliteti për 100 milionët mund t’i ndajë ata të dy. Si të tingëlloi?
Jo, të flas me sinqeritet, mua nuk më pëlqeu aspak kjo deklaratë e tij. Unë mendoj se përveç parave në ditët që jetojmë, njeriu ka nevojë për njeriun. Unë personalisht jam për ndjenjën. Pavarësisht faktit se ata kanë hyrë në lojë për 100 milionë, unë mendoj se sido që të vijnë kohët, në plan të parë është dashuria pastaj paratë.
Nga ana tjetër, Ermali pohoi me plot gojën se ndihej i dashuruar me Françeskën. Ishte i vërtetë djali juaj në këtë pohim?
Për atë moment, patjetër që ka qenë i vërtetë. E njoh Ermalin dhe di që ai nuk bën dot kompromise të tilla me veten. Mendoj që Ermali, siç e ndjeu në atë moment, ashtu e tha, por kjo s’do të thotë se kur të dalë jashtë do mendojë të njëjtën gjë. Realiteti mund t’i ndryshojë gjërat.
Françeska ka pohuar se ka marrëdhënie shumë të afërta me babain e saj, me të cilin bisedojnë si shokë. Po ju me Ermalin, sa të afërt jeni?
Në fakt unë dhe Ermali nuk jemi aq shumë shokë, përveçse kemi marrëdhënie serioze e të prera. Ermali ndan më shumë sekrete me të ëmën, ndërsa unë me vajzën.
Nëse Françeska do të dalë para Ermalit nga shtëpia, ju do të kërkoni ta takoni si të dashurën e djalit tuaj?
Këtë nuk mund ta them me siguri. Varet si do shkojnë ngjarjet, megjithatë edhe nëse takohemi dhe pimë një kafe, kjo sërish nuk do të thotë asgjë. Nuk besoj se nëse e takojmë ne Françeskën, lidhja merr dimension më serioz. Kjo nuk do të jetë hera e parë që unë takoj mikesha të Ermalit.
Ke takuar të dashura të tjera të Ermalit, si të janë dukur?
Po, kam takuar shoqe të tjera të Ermalit, dhe mund të them që ai ka shije për vajzat me të cilat shoqërohet. Të gjitha kanë qenë të mira dhe nuk ka të thotë asgjë në ditët e sotme nëse një baba takon të dashurin e vajzës, apo të dashurën e djalit, lidhja mes tyre bëhet më serioze.
Deri tani ka ndodhur që Ermali të sjellë ndonjë mikeshë në shtëpi, duke jua prezantuar si të dashur?
Jo, asnjëherë. Por ama e di që të dashurat nuk i kanë munguar. Ermali ka pasur 100 të dashura në jetën e tij. Kjo nuk është hera e parë apo, më mirë të them, nga të paktat herë që ai frekuentohet me një vajzë. Megjithatë fakti që janë në lojë, dhe mbase kanë gjetur mbështetje ndaj njëri-tjetrit, i ka lidhur më shumë. Por prapë, unë nuk di çfarë mendon Ermali e çfarë ndien thellë në zemër. Mezi pres të na i tregojë kur të dalë nga shtëpia. Tani jemi ne kureshtarë dhe në pikëpyetje.
Dëshironi të thoni që ai takim i Ermalit më babain e saj nuk e ka bërë më me kuptim lidhjen e tyre?
Nuk besoj se e bën më serioze sesa ajo është mes tyre. Por vetë i ati i Françeskës i kishte shkruar Ermalit, që e gjithë kjo ishte një lojë. Kështu që mendoj se hyrja e tij në shtëpi ka qenë më shumë për show, dhe nuk besoj se ndryshon diçka në atë çfarë ata ndiejnë për njëri-tjetrin.
Pas hyrjes së babait të Françeskës në BB5, ka tentuar ai t’ju takojë apo ju atë?
Jo, absolutisht. As njëri, as tjetri. Ne nuk kemi shkëmbyer asnjë bisedë deri tani për lidhjen e fëmijve tanë, pasi të paktën unë s’e kam parë të arsyeshme. Kemi shkëmbyer vetëm nga një përshendetje të thjeshtë dhe të largët të shtunave të spektaklit.
E ndërkohë Ermali pohoi se e dashuronte Françeskën dhe se ishte i impresionuar nga ajo. Ishin në kuadrin e mirësjelljes me një baba, apo ato fjalë ishin të sinqerta?
Unë nuk jam me Ermalin, dhe nuk di të them me bindje se çfarë ndien ai në të vërtetë për atë vajzë. Por gjithsesi ai nuk e njeh në jetën reale Françeskën, për të folur me siguri, kam rezervat e mia.
Thoni që Ermali nuk e njeh në jetën reale, po ju si prindër jeni interesuar për këtë vajzë për të mësuar më shumë?
Të them të drejtën, nuk jemi interesuar dhe nuk dimë asgjë rreth saj. Ne për momentin na intereson loja e djalit në BB5, dhe nuk mendojmë se gjërat serioze bëhen kaq kollaj. Ka punë puna… Ermali dhe Françeska mund të kenë rënë vërtet në dashuri, por edhe mund të jenë në një lojë.
Ty të pëlqen Françeska si vajzë?
Si pamje shumë e mirë është, dhe po ashtu e shkathët.
E sheh ti Françeskën si nusen e djalit një ditë?
Ata janë shumë të rinj për të vendosur për gjëra të rëndësishme në jetë. Por po ashtu unë jam një baba sqimatar. Kam shumë vlerësim për fëmijët dhe natyrisht, që nëse do diskutohet për një gjë të tillë, do filloj kërkimet për gjithçka. Ne duhet t’i njohim fisin dhe të gjithë. Do ta njoh mirë me rrënjë e dhëmballë. Deri tani konsiderohet krushqi e panjohur ajo e jona me familjen e Françeskës. Do e ftojmë për një kafe, por s’besoj se do afrohemi aq shumë. Do e respektojmë si të dashurën e tij, por ama edhe takimi ynë me Françeskën nuk do ndryshojë asgjë. Nuk është e thënë që pasi t’i takojmë, lidhja e tyre të konsiderohet familjare. Ne do kërkojmë të dimë më shumë për atë vajzë, nëse Ermali do vendosë ta sjellë në shtëpi.
I shikoni Françeskën dhe Ermalin si rivalë në lojë, do të jenë ata në finale?
Patjetër që janë dhe rivalë, por nuk mund të them asgjë për finale. Ata janë lojtarë të fortë, por prapë gjithçka varet nga votat e publikut dhe përcaktohet në dy javët e fundit.