Aksidenti, 6 studente dalin nga reanimacioni, vajzat në Austri në koma.

Nga Dinejda
Shkruar ne 25 Maj 2012 ora 4:47pm

TIRANË- 6 studente të plagosura nga aksidenti i Himarës, dolën sot nga reanimacioni. Ndërkohë po sot Elsa Shtylla, ka lënë ambjentet e spitalit. Parametrat shëndetësorë të gjashtë nga studenteve që mbetën të plagosura në aksidentin që ndodhi pasditen e të hënës në afërsi të qytetit të Himarës dhe që po trajtohen ende në Spitalin e Ushtarak, janë përmirësuar ndjeshëm gjatë ditës së sotme.

Mjeku Luan Nikollari dha lajmin e mirë, duke siguruar se gjendja shëndetësore e studenteve është mirë.
“Gjendja e vajzave është e stabilizuar, është e mirë, është jashtë rrezikut për jetën dhe nuk do të kenë probleme invaliditeti për të ardhmen. Shpresojmë, në rast pas rasti në javët që vijnë ato të shkëputen nga spitali”,- siguroi mjeku. 

Mjejku: 2 vajzat në Austri ende në koma
Mjeku Nikollari duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve për gjendjen e Florije Peci dhe Eriselda Gubere, të cilat u transportuan dje në Austri për mjekim më të specializuar tha se udhëtimi i tyre shkoi mirë, ndërkohë që ato vijojnë të jenë në gjendje kome. Mjeku sqaroi se vajzat do i nënshtrohen provave të zgjimit.

“Në spitalin Lins të Austrisë është Eriselda Gubere, dhe Florije Peci është në spitalin Felabukut po në Austri. Na njoftojnë se gjendja vijon e njëjtë, nuk është përkeqësuar. Ndërkohë, Eriselda vijon të jetë në koma, por sot do ti bëhet një provë zgjimi, që është një tregues për ecurinë e saj të mëtejshme, kurse Florije Pecin do të bëhet provë zgjimi nesër”, sqaroi mjeku.

Dy vajzat e plagosura në u nisën dje me avion sanitar drejt Austrisë. Florije Peçi gjatë aksidentit ka marrë dëmtime të rënda në shtyllën kurrizore dhe në tru, ndërsa Eriselda Gubere është dëmtuar në 4 vertebra të shtyllës kurrizore dhe në veshka. Dy vajzat janë në gjendje kome, që prej 21 majit, ditën kur ndodhi edhe aksidenti tragjik, në urën e Vishës, i cili i mori jetën 13 personave, mes të cilëve 11 studente të Universitetit ‘Aleksandër Xhuvani”.

Aksidenti
Në aksidentin që ndodhi në pasditen e të hënës, në afërsi të qytetit të Himarës, në vendin e quajtur “Qafa e Vishës”, ku një autobus me studente të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, ra nga një lartësi prej disa dhjetra metrash, humbën jetën 13 persona, mes të cilëve 11 studente. Po ashtu, u plagosën 26 të tjera, nga të cilat 10 u trajtuan në Spitalin Rajonal të qytetit të Vlorës. Në këtë ngjarje tragjike humbën jetën gjithashtu edhe drejtuesi i autobuzit, 55 vjeçari Pëllumb Çela, si dhe i riu Armando Alilaga, i fejuari i njerës prej studenteve të plagosura.