Aksidenti, ndahet nga jeta koreografi i njohur Agron Aliaj

Nga Dinejda
Shkruar ne 17 Maj 2012 ora 5:35pm

TIRANË- Ndërron jetë koreografi i njohur, ish-udhëheqësi artistik i disa shfaqjeve në Teatrin e Operës dhe Baletit, Agron Aliaj.

Pas një lufte të gjatë mes jetës dhe vdekjes, zemra e tij ka ndalur në reanimacionin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Aliaj pas mjekimit në Spitalin Ushtarak dhe trajtimit në QSUT, iu nënshtrua edhe një ndërhyrjeje kirurgjikale, në një nga spitalet private të vendit, por gjendja e tij shëndetësore mbeti e njëjtë. 

Familjarët kanë bërë shpesh herë apel shtetit, që t’i krijonte mundësi trajtimi më të specializuar, qoftë në spitalet publike, apo private në vend ose jashtë shtetit.

Aksidenti
Ka qenë data 7 mars kur profesor Agron Aliaj është përplasur nga një makinë kur sapo kishte lënë provat në Teatrin e Operës dhe Baletit. Aksidenti ndodhi, kur koreografi në moshën 79-vjeçare, ishte duke kapërcyer rrugën pranë Teatrit. Ka qenë vetë drejtuesi i mjetit Audi A6 që e ka dërguar artistin në urgjencën e Spitalit Ushtarak në kryeqytet. Gjendja shëndetësore e Aliaj u përkeqësua ditët e fundit.

Karriera
Agron Aliaj ka mbaruar studimet për balet klasik në shkollën më të mirë të botës, në Moskë, dhe krahas veprave klasike që iu është kushtuar njëkohësisht si kërcimtar dhe pastaj si koreograf, ka punuar shumë për krijimtarinë kombëtare, veprat kombëtare. Ai ka marrë pjesë në vënien në skenë të baleteve “Delina”, “Hajria”, më vonë “Cuca e maleve” që u bënë një repertor i gjerë i baletit kombëtar. Më tej, ai ka vënë në skenë kryeveprat e baletit botëror si “Liqenin e mjelmave”, “Don Kishotin”, “Arrëthyesin”, po edhe atë me tematikë shqiptare “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Gjatë karrierës së tij ai ka punuar me kompozitorë që ngritën lart anën muzikore të kombit tonë duke filluar nga Çesk Zadeja, Nikolla Zoraqi, Limoz Dizdari, Tonin Arapi dhe shumë artistë të njohur, për të cilët ka një adhurim të jashtëzakonshëm. Gjatë këtyre viteve të fundit prof. Aliaj i qe përkushtuar vënies në skenë të veprave kombëtare.