Aksidenti në Himarë, 2 studentet ende në koma në Austri

Nga Dinejda
Shkruar ne 26 Maj 2012 ora 4:27pm

TIRANE-Dy vajzat e aksidentuara në ngjarjen tragjike në Himarë pas rënies së autobusit në greminë, ndodhen ende në koma. Mjeku Luan Nikollari bëri të ditur se mjekët në Austri tentuan zgjimin e studentes Eriselda Gubere, por pa rezultat. ‘Rezultoi pa sukses heqja e frymëmarrjes artificiale. Për Guberen vijon e njëjta gjendje”, theksoi Nikollari. Sipas tij, Gubere mund t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale në kollonë.

Ndërkohë për Florije Pecin ka patur një përmirësim të lehtë. ‘Mjekët do tentojnë sot zgjimin nga koma të Florije Pecit”.
Nikollari theksoi se në Vjenë është një mjek kosovar që ndjek gjendjen e 2 studenteve, ndërsa vuri në dukje se komuniteti shqiptar në Austri ka ofruar ndihmën për vajzat e aksidentuar.
“Është e paimagjinueshme sesa shqiptarë dhe kosovare janë afruar në spital dhe kanë ofruar ndihmën për 2 vajzat tona. Një nismë e tyre që është për t’u përshëndetur”, tha Nikollari. 

Mësohet gjithashtu se familjarëve ende nuk u është mundësuar udhëtimi për në Austri.

“Po do të ishte shumë mirë nëse familjarët e vajzave do të ndodheshin këtu, pasi do lehtësoheshin dhe vetë dhe gjendja e vajzave ndoshta”, u shpreh mjeku Luan Nikollari.

Sa i takon vajzave të tjera të plagosura që marrin shërbimin në Spitalin Ushtarak, ato janë në gjendje të përmirësuar shëndetësore. “Gjendja shëndetësore e 10 vajzave në Spitalin Ushtarak dhe 2 në Spitalin Amerikan paraqitet e mirë, e stabilizuar dhe nuk kanë shqetësime të tjera”, tha Nikollari, sipas të cilit, 2 vajzat që ndodhën tek amerikani pritet të lënë spitalin të hënën.