Aktorja Marjana Kondi takon të atin pas 48 vitesh

Nga Dorjan
Shkruar ne 10 Apr 2012 ora 3:29pm

Në skenë jemi mësuar ta shohim të qeshur, sepse në fund të fundit është e pozicionuar si aktore humori. Dhe ia ka dalë për bukuri. Nuk e besojmë të ketë ndonjë shqiptar që të mos jetë kënaqur me rolet e mrekullueshme të aktores Marjana Kondi. Emblematike mbeten bashkëpunimet e saj me aktorin Met Bega, si dhe pjesëmarrjen në komedi të ndryshme me role tejet të realizuara. Por asnjërit prej nesh nuk mund t’i ketë shkuar në mendje se përtej fytyrës së qeshur të Marjanës, përtej pamjes së një gruaje energjike që dukej se jeta i ka dhënë gjithçka ka dashur, ajo në fakt arrinte të fshihte me shumë kujdes një sekret shumë të madh të jetës së saj. Këtë sekret arriti t’ia dekonspirojë gazetari i njohur Arjan Konomi, i cili për disa muaj me radhë ka realizuar një program me personazhe VIP, në një nga ekranet lokale të qytetit të Vlorës. Mbase edhe prej faktit se në një ekran lokal ndihet një farë intimiteti, por edhe prej profesionalizmit të Konomit duket se personazhet e njohura të ekranit i kishin lënë gjithë sekretet e jetës së tyre për t’i rrëfyer në Vlorë. Kanë qenë të shumtë ata personazhe të cilët kanë thënë gjëra për herë të parë publikisht në këtë program. Por një nga episodet që ka lënë mbresa të veçanta, ka qenë rrëfimi i aktores Marjana Kondi. E ngacmuar vazhdimisht me pyetje nga Konomi, i cili e njihte mirë historinë e parrëfyer të Kondit, në një moment i thotë: “Na rrëfe si ishte takimi me babanë tënd, të cilin nuk e ke njohur kurrë”. Kaq ka mjaftuar për të zbërthyer aktoren. Ajo rrëfeu se në moshën trevjeçare prindërit e saj u ndanë dhe që nga ajo kohë ajo nuk pati as edhe një rast të vetëm që të mund të takohej me të atin. Kështu kaluan vite të tëra dhe, si për çudi, ajo nuk u takua asnjeherë më të. Rreth një vit më parë, ekzaktësisht mbas 48 vitesh, Marjana ka njohur babain e saj. Duket si ato historitë që shohim nëpër filma apo ato programet e Rafaella Cara, e cila bashkonte të afërm të cilët kishin dekada pa u parë. Por në këtë rast, ashtu siç e la në heshtje këtë moment të jetës së saj, ashtu siç nuk e rrëfeu këtë boshllëk në zemrën e saj, me të njëjtën heshjte Marjana e kaloi edhe momentin e takimit me babanë. Imagjinoni se sa interesante do kishte qenë sikur të kishte ndodhur si një surprizë e bërë nga dikush dhe mbi të gjitha po të bëhej publikisht. Por e rëndësishme është që ajo tashmë ka pranuar që këtë sekret të jetës së saj t’ia rrëfejë edhe publikut që e ka duartrokitur gjatë gjithë karrierës. Por me siguri asgjë nuk do kishte ndodhur, sikur e gjitha kjo të mos ishte e “orkestruar” nga një mendje inteligjente gazetari, siç është ajo e Arjan Konomit.