Alketa: Dashuria, motoja e jetes sime

Nga Reporter
Shkruar ne 13 Mar 2011 ora 2:38pm

Stina e veres e ka mbajtur Alketa Vejsiun larg kamerave dhe objektivit te paparaceve. Ne nje pjese te kohes ka qene jashte Shqiperise, duke shijuar pushime ne bregdetin italian. Megjithate edhe ne ditet qe ndodhej ne Tirane, bjondia simpatike ka ditur ta shmange vemendjen publike, per ta pasur plotesisht ate me shfaqjen ne ekran. Dhe jo me larg se muaji nentor, ajo rikthehet ne Televizionin Klan me projektin e testuar suksesshem “Me shume dashuri”. Cdo te shtune ne mbremje, per 12 jave rresht dashuria njerezore do te gjeje nje dere te hapur. Ekrani i Televizionit Klan, regjisorja Vera Grabocka dhe prezantuesja Alketa Vejsiu, se bashku me nje staf profesionistesh edhe ne kete edicion do te sjellin histori njerezore, te trajtuara me shume dashuri.

Kemi mesuar, qe tashme po pergatiteni per sezonin e dyte te “Me shume dashuri”…

Me sa duket kete vit, Krishtlindjet dhe Vitin e Ri do t’i festojme ne televizion, sepse mendohet qe deri ne Shen Valentin do te jemi ne transmetimin e ketij programi, cdo fundjave.

Cfare risish do te sjelle ky edicion dhe si e gjen veten Alketa aty?

Eshte nje sfide e madhe, sepse na duhet te bejme nje program me te mire se ai, qe lame pas dhe te shpikesh gjera te reja eshte gjithmone e veshtire. Do te jete i njejti profil ngjarjesh, qe ve ne qender marredheniet njerezore te para ne te gjitha dimensionet e tyre. Frymezimi yne mbeten projekte simotra te ketij programi vecanerisht “Oprah Winfrey show”, “C’e posta per te” apo edhe “Treni i deshirave”. Megjithate brenda ketij formati dhe menyres se tij te konceptimit do te kete edhe rubrika te reja.

Ku eshte deri tani puna me mbledhjen e historive dhe pergatitjen e tyre?

Ne edicionin e pare kemi qene ne, qe i kerkonim personazhet dhe historite e tyre per t’i treguar publikut, se cfare ne donim qe t’iu propozonim atyre ne kete format. Pas nates se Gerdecit ku u dhane gati 200 mije euro ndihme dhe ne vazhdim, emisioni pati nje jehone shume te madhe. Per kete arsye edicioni i dyte vjen ne baze te historive qe nuk jane marre ne konsiderate per shkak te prurjeve te shumta ne edicionin e pare. Ka qene kjo, nje prej arsyeve, qe na bindi te vazhdonim “Me shume dashuri”. Njerezit ne keto lloj programesh shohin si ne pasqyre veten e tyre, problematiken e te perditshmes, brengat dhe gezimet e tyre. Testimet e bera permes e -mailit dhe postes se thjeshte na kane sjelle prurje te jashtezakonshme te letrave, gje qe garantoi edhe vazhdimin e ketij seriali, te cilin ne fakt e imponoi vete publiku me historite e tij. Shpresojme qe te kemi pse jo, edhe nje edicion te trete dhe te katert.

Si do te vije nata e pare e edicionit te ri?

Ne edicionin e pare, ne naten finale, ne menduam qe do te benim, nje permbledhje me gjithcka kishim arritur ne 11 jave. Ne fakt naten e 12-te i dhame hapesire nje mbremjeje gala, qe nderoi emrat e njohur te skenes. Naten e pare te edicionit te dyte do te bejme pikerisht kete, te shohim se sa ne, kemi ndikuar ne ndryshimin e jetes se personazheve tane.

Ne kete edicion, per Alketen gjerat do te jene me te thjeshta, sepse ka kaluar nje faze te pare, apo me te veshtira, ne aspektin shpirteror, sepse tani e dini se si perjetohen disa histori te cilat i keni reflektuar edhe me lot ne ekran?

Po ta shohesh ne kete lup edhe imunitet kam fituar. Une thjesht e kam lene veten te lire ne “Me shume dashuri”. Me rreshqiste nje lot, qe ishte gjithcka normale, sepse eshte humane. Ne, njerezit qe dalim ne ekran, jemi njelloj me te tjeret. Kemi te njejtat brenga, te njejtat gezime, qajme dhe qeshim njesoj si ta. Jam e sigurt, qe ne kete aspekt do ta le veten te lire, keshtu jam me origjinale dhe me afer personazheve qe intervistoj, sepse programi eshte teresisht njerezor. Nga ana tjeter kemi nje eksperience shume te mire nga edicioni i pare. Tani e dime se cfare historish kerkojme dhe cilat jane intensitetet emocionale, qe duhen percjelle tek shikuesit. Natyrisht percjelljen e mesazheve tona, e ndihmon edhe skenaristja e talentuar Dalina Buzi, me te cilen kam pasur nje komunikim te mrekullueshem. Gjithcka ka qene e vendosur ne skenarin e asaj, eshte vendosur mire ne gojen time. Kam pershtypjen qe shkolla amerikane apo specializimi ne Angli i ka bere shume mire per t’i pare gjerat me nje sy tjeter. Eshte nje burim i pashtershem idesh dhe leksiku.

Ne edicionin e pare ju keni pasur edhe nje rubrike, qe vinte me ngjyra roze. Do te vazhdoje te mbetet?

Kjo ka qene nje nga divergjencat e mia personale me pjesen tjeter te stafit. Kam qene me shume e prirur ndaj historive roze, per shkak te moshes, por edhe te vete natyres sime diellore. Nuk thellohesha dot shume ne dhimbjen e njerezve, me sillte nje zymtesi qe ne pergjithesi ne jeten shqiptare nuk mungon. Ata qe jane me te pjekur dhe me profesioniste ne drejtim te programeve te tilla kishin shume te drejte kur thonin qe duhet gjithmone baraspeshe. Dramat me zgjidhje te lumtur i kane dhene peshe programit, gje qe do te thote se nuk do te mungoje si rubrike, por do te jete ne balance.

Dashuria eshte pergjigja e lumturise

“Dashuria eshte pergjigja e lumturise”. Eshte kjo motoja, qe e shoqeron Alketa Vejsiun ne cdo hap qe hedh ne jete. Dhe ajo e ka gjetur celesin e lumturise. Jo vetem ne familjen e saj te lumtur, ku kryefjala eshte dashuria, por edhe ne punen e perditshme, ne profesionin e saj. “E rendesishme eshte, qe punet t’i besh me pasion, e kam si moto kete ide edhe ne jeten private”, shprehet vajza e ekranit, duke shtuar se titulli i emisionit “Me shume dashuri” perputhet mjaft mire edhe me parimet e saj. “Mendoj bindshem, qe dashuria eshte pergjigja e lumturise”, pohon Alketa.

Prezantuesja, qe do te provoje veten si biznesmene

Ka arritur te realizoje vetveten qe ne moshe shume te re. Shume prej 25-vjecareve te brezit te sotem do ta kishin zili, jo vetem per elokuencen dhe natyrshmerine, qe e karakterizon ne te folur, per arritjet e saj profesionale ne ekran dhe per familjen e shendoshe qe ka krijuar, por vecanerisht per kerkesat dhe ambiciet, qe Alketa Vejsiu ka ndaj vetes. Ne fillim te veres eshte diplomuar me rezultate te larta ne Fakultetin e Ekonomise dhe pas diteve te gjata pushimesh, te alternuara me notin dhe sportin, vjeshta e gjen me te tjera projekte. Sigurisht ekrani eshte nje prej tyre. Por Alketa nuk ndalet ketu. Diploma e ekonomistes do te jete nje perkrahje e mire per te konkretizuar idene per nje biznes teresisht te sajin, ndersa pervojes se ekranit, deshiron t’i bashkengjise edhe studimet e nje masteri ne shkencat e komunikimit, ne Angli. E matur dhe e kujdesshme ne cdo hap, qe hedh duket se Alketa eshte e tille edhe ne fjalet qe thote. Nuk deshiron te tregoje shume ne lidhje me idete per biznesin qe po mendon te realizoje, megjithate behet fjale per nje projekt serioz, te cilin ajo po e peshon mire.