Ambasada Italiane: Nuk e njohëm diplomën shqiptare të Bossit.

Nga Dinejda
Shkruar ne 09 Maj 2012 ora 10:30am

TIRANE - “Nuk ia kemi njohur diplomën e marrë në Shqipëri, Renzo Bossit”. Ky ka qenë reagimi i Ambasadës Italiane në Tiranë, pas skandalit me diplomën e djalit të ish-kreut të Lega Nord, Umberto Bossi. “I diplomuari” te Kristali në Tiranë, ka kërkuar njohjen e laureimit të tij në prill të këtij viti, pasi kishin nisur hetimet për Lega Nordin. Kjo u bë e ditur përmes një letre që ambasada italiane në Tiranë i kishte nisur prokurorisë së Milanos. 

Kërkesa
Në fundin e muajit korrik 2011 një nënshtetas shqiptar u paraqit në Ambasadën Italiane në Tiranë ndërsa kërkoi njohjen e titullit të diplomës së Renzo Bossit, i cili dispononte nga universiteti Kristal, di-plomë të nivelit të parë. Por pikërisht një vrojtim i thjeshtë i punonjësve të ambasadës bëri që ata të mos ishin pjesë e “çudisë” Bossi. Pas një kërkimi në internet shkruhej që ai ishte diplomuar në korrik 2009 ndërsa në diplomë ishte data 29 shtator 2010. Në tetor të vitit 2011 avokati Dragoi i ngarkuar të merrej me zgjidhjen e këtij problemi, paraqiti në ambasadën italiane në Tiranë një sërë dokumentesh mes të cilave edhe certifikatën e maturës së djalit të Lega Nordit të 18 majit 2007, ndërkaq që provimin e fundit të këtij cikli studimesh ai e mori pas katër tentativash më 2009. I njëjti avokat paraqiti në 2012 në ambasadë një kopje të pasaportës së Renzo Bossit. Në këtë pikë, autoritetet e ambasadës filluan procedurat e njohjes së diplomës duke iu drejtuar universitetit Kristal për rregullsinë e saj. E gjithë praktika u ndoq nga profesor Skënder Kërçuku i Universitetit Kristal i cili deklaroi se Renzo Bossi rezulton se ka kryer studimet në këtë universitet. “Universiteti deklaroi më pas në media se Renzo Bossi ishte regjistruar aty në vitet 2007-2008, (pra para se të merrte diplomën e shkollës së mesme në Itali)”, shkruhet në njoftimin e Ambasadës Italiane në Tiranë. Në 4 prill të 2012 (një ditë pas nisjes së hetimeve për Lega Nord), avokati Dragoi u paraqit në ambasadë dhe kërkoi tërheqjen e dokumentacionit me pretendimin se nuk ishin më të interesuar për njohjen e konvalidimin e titullit të diplomës. Një tjetër diplomë e lëshuar në këtë mënyrë nga universiteti Kristal ishte dhe ajo e Piergaetano Moscagiuro, ish-truprojës së Rosi Mauros.
Sipas ambasadës Italiane në Tiranë, për diplomën e këtij të fundit nuk u nis asnjë praktikë për njohjen e titullit nga shteti italian, sepse fakulteti i Shkencave Politike nuk ishte akredituar nga ministri i Arsimit.