Anija ushtarake amerikane mbërrin në Durrës

Nga Dinejda
Shkruar ne 24 Pri 2012 ora 12:28pm

DURRËS- Në portin detar të Durrësit mbërriti sot paradite anija ushtarake amerikane “USS Gunston Hall”. Burime zyrtare nga komanda e forcave detare, bënë të ditur se anija zbarkuese do të zhvillojë një vizitë portuale të zakonshme.

Sipas të njëjtave burime, kjo vizitë shërben për të vazhduar përpjekjet e Flotës së 6-të të SHBA për të ndërtuar partneritete globale me flotat e vendeve europiane dhe për të përmirësuar sigurinë dhe mbrojtjen e flotave ushtarake. Gjatë tre ditëve të qëndrimit të saj në port, oficerët dhe ekuipazhi do të takohen me zyrtarë lokalë dhe do të marrin pjesë në aktivitete kulturore. 

685 ushtarakët e anijes, një pjesë e të cilëve marinsa, do të zhvillojnë sipas një grafiku të përcaktuar në bashkëpunim me forcat tona detare disa vizita në Durrës, Tiranë dhe Krujë.

Anija “Gunston Hall” po kryen këtë vizitë portuale, si pjesë e itinerarit të saj për t’u dislokuar në një zonë përgjegjësie të Flotës së 6-të të SHBA.