Apeli në News 24, vogëlushja nga Korca kurohet në Spitalin e Neurokirurgjisë, QSUT

Nga Dinejda
Shkruar ne 16 Maj 2012 ora 6:53pm

KORCË- Është vetëm 6 vjec, po jeta po e sfidon përditë me sëmundjet e rënda duke e dergjur në shtrat me shpresën se e nesërmja do të jetë ndryshe.

Ajo është Suela Cita nga fshati Zvirin i Korcës, e cila kur ishte 8 muajshe humbi shikimin, për shkak të një temperature të lartë, ndërsa ka lindur me sëmundjen e Epilepsisë.

Vogëlusheja edhe pse 6 vjec, është ngritur në këmbë pak muaj më parë, ndërsa ka braktisur edhe bankat e shkollës për shkak të krizave të herëpashershme të shoqëruara me gjendje të fikëti. 

Pas apelit në News 24, vogëlushja do të kurohet në Spitalin e Neurokirurgjisë në QSUT.

Nëna e vogëlushes tregon se mjekët i kanë rekomanduar një ndërhyrje kirurgjikale në kokë dhe sy, por shpenzimet për ta janë të papërballueshme.

“Sytë i dhembin, koka i dhemb, rrëzohet, nuk qendron dot në këmbë, ka dhimbje të tmerrshme e zë e qan. Doktori më ka thënë ta shpie në Tiranë ta operoj, por unze nuk e përballoj dot… Me 90 mijë lekë që merr vajza c’të bëj më parë, ta ushqej, t’i marr Ilace, unë e nxora edhe nga shkolla”, thotë nëna e saj.

Familja jeton në kushtet e një varfërie ekstreme, ndërsa të vetmet të ardhura për 5 anëtarët e saj janë 9 mijë lekë të reja që merren nga kempi i vogëlushes.