Apolonia antike, një surprizë magjepëse për turistët e huaj

Nga Dorjan
Shkruar ne 04 Qer 2012 ora 5:08pm

Qyteti antik i Apolonisë, kjo mrekulli turistike, ku nderthurren lavdia e së shkuarës me të tashmen, është një ndër destinacionet më të kërkuara për turistët e huaj. Cdo ditë, grupe të organizuara turistësh, apo individë, kalojnë orë të këndshme duke vizituar këtë qytet magjik, sic e etiketojnë ata. Promovimin më të mirë të vlerave të këtij qyteti e bëjnë vet turistët, të cilët të mahnitur nga vlerat turistike dhe nga peisazhi natyror, ua prezantojnë bashkëqytetarëve të tyre, duke i nxitur që të ndërmarrin një udhëtim relaksues në Apoloni. 

“Është hera e parë që vizitojmë Apoloninë. Jemi të befasuar nga bukuria dhe madhështia e saj, megjithëse për ne nuk ishte e panjohur, pasi disa nga miqtë tanë që e kishin vizituar më herët, na e kishin prezantuar mjaft mirë. Madje, ata na nxitën që të mos e humbisnim mundësinë për ta vizituar këtë vënd magjik”, u shprehën Jam Jet dhe Tien Brinke, turistë hollandezë.

Ata e vecuan këtë vizitë si një nga më të bukurat dhe mbresëlënëset në morinë e vizitave të tyre turistike. Bukuria natyrore dhe mikëpritja e njerëzve, madhështia dhe vlerat arkeologjike të Apolonisë, ishin një surprizë përtej emagjinatës dhe fantazisë së krijuar prej tyre. “Apolonia është magjike. Pamja e saj dominuese mbi pafundësinë e fushave dhe vijën e bregdeti që ndodhet vetëm 8 km larg, në drejtimin perëndimor, është fantastike dhe mjaft relaksuese”, u shpreh znj.Brinke.