Arbër Zeka: Surprizat pas fitores së çmimit dhe ofertat për punë

Nga Dinejda
Shkruar ne 04 Qer 2012 ora 6:08pm

Si ndryshoi jeta e 24-vjeçarit nga Prishtina pasi rrëmbeu 85 milionë në “BB5”

Arbri është i pari kosovar që fiton “Big Brother” në pesë vite edicione të këtij “realit show” në Shqipëri. Në aventurën 100-ditore të kësaj gare për 100 milionë, ai fitoi 85 milionë pasi hyri me vonesë në lojë. Nga pesë finalistët e mbetur, nga 25 banorët që morën pjesë në konkurrim, ai fitoi këtë sfidë duke bërë realitet ëndrrën e tij të hershme për të blerë një shtëpi për prindërit. Arbër është lindur e rritur në Prishtinë, ku ka banuar në 8 lagje të ndryshme, duke qenë se familja e tij vazhdimisht ndërronte shtëpi me qira, pasi nuk e kishin një të tyren. Në biografinë e tij në faqen zyrtare të “Big Brother Albania” shkruhej se Zeka ka bërë një jetë aktive me plot aventura, mbushur me momente të lumtura e të vështira.I diplomuar në degën e Ekonomikut në Universitetin e Biznesit dhe Teknologjisë në Prishtinë, për një periudhë të shkurtër ka punuar në administratën shtetërore në Entin e Statistikave të Kosovës. Ndërsa tashmë nis një jetë e re për Arbër Zekën. Në këtë intervistë si fitues i “BB5”, ai flet për marrrëdhëniet me Liamin e Gertën, paratë dhe jetën që do të bëjë tani e tutje.

Nga finalistët e BB5 u diskutua se fitorja ndahej mes Liamit dhe Ermalit. Pse fitoi Arbri?
Pyetje ngacmuese vërtet. E unë them fitoi Arbër, se mbase ka qenë më i miri aty brenda në lojë. Mendoj se kam dhënë maksimumin në BB5, dhe e kam pasur një bindje të plotë që do jem fitues që para se të isha pjesë e lojës. Fjalët se fitorja ndahej mes Liamit dhe Ermalit i kam dëgjuar mes banorëve në shtëpi, por të them të drejtën nuk më kanë penguar aspak për të ndryshuar bindjen dhe besimin që kisha në vetvete. Në një mënyrë e kam ditur që emri im është përfolur si emri potencial kryesor që do fitonte BB5, dhe ia dola ashtu siç e kisha menduar. Nuk më kanë trembur dhe as më kanë bërë pesimist komentet e të tjerëve aty brenda.
Ke pasur mbështetje shumë të madhe nga Prishtina. Ishte një përkrahje për ty si person, apo thjesht si përfaqësues i Prishtinës?Ka pasur nga Kosova të tjerë konkurrentë dhe unë di që nuk janë përkrahur. Kjo më bën të mendoj se mbase kanë parë diçka tjetër tek unë. Unë përveçse kam përfaqësuar veten, kam përfaqësuar dhe të rinjtë shqiptarë. Jam djalë i hapur, sportiv, me edukatë të veçantë dhe i komunikueshëm, dhe këto cilësi më kanë bërë simpatik në sytë e publikut, i cili më mbështeti dhe më votoi.
Çfarë mendon se kanë rezervuar për ty në Prishtinë, pasi ti je i pari nga Kosova që fitove BB?
Kam dëgjuar që është festuar fitorja ime me pankarta dhe me brohoritje në qytet, njësoj si të festohej Viti i Ri. Dhe kjo më bën të ndihem krenar për vendin ku jam rritur dhe që i kam shumë borxhe. Po kuptoj që dhe në Shqipëri më duan dhe më respektojnë e kjo më ka bërë të ndihem shumë krenar.
I ke marrë ofertat e para për punë, çfarë propozimi interesant të është bërë deri tani?
Patjetër që kam marrë shumë oferta në telefon, pasi gjithë javën pas “BBB” e kalova në Tiranë. Ofertat për punë kanë qenë të menjëhershme, siç është propozimi nga një kompani telefonike e njohur në Prishtinë.
Tanimë mund të quhesh milioner. Çfarë do të bësh me 85 milionët e fituar në këtë garë?
E kam theksuar dhe më parë që me ato para do të blej një shtëpi për prindërit. Kjo ka qenë ëndrra ime, dhe ndihem shumë i lumtur që munda ta bëj realitet.
Rikthehemi sërish te loja. Brenda shtëpisë u krijua një afeksion me Gertën. Çfarë ndodhi në realitet mes ju të dyve?
Gertën e kam mike shumë të mirë, është vajzë shumë e mirë, por ne bashkë thjesht dalim pimë kafe. Në gazeta u komentuan shumë disa shkëmbime puthjesh mes nesh, por ju siguroj që mbeti vetëm aty dhe në realitet s’do ketë asgjë më shumë, dhe do mbetemi vetëm shokë.
Pse vetëm shokë, pëlqimi që ti pohove se kishe për Gertën ishte thjesht për lojë?
Unë dhe Gerta ishim në nominim, dhe unë pohova se nuk u mërzita për daljen e Gertës pasi shpëtova vetë. Kjo dëshmoi edhe faktin se mes nesh nuk kishte ndjenjë, por thjesht një simpati. Them se tashmë s’do ketë asgjë më shumë pasi ajo çfarë u pa në lojë nuk ishte një “ndenjë”, por thjesht një afeksion i krijuar në lojë dhe asgjë më shumë.
Gjatë qëndrimit tënd në lojë, vëllai yt është shprehur për gazetat se ti je një djalë aventurier me femrat. Është e vërtetë?
Mbase po, është e vërtetë, edhe pse nuk mund të jap përgjigje të prerë për këtë fakt. Nuk më pëlqen t’i mëshoj kësaj të vërtete, pasi jo pa qëllim jam treguar edhe vetë i rezervuar në lojë. Di të them vetëm që hyra “single” në lojë, dola “single” dhe vazhdoj të jem “single”.
Tashmë që je bërë i njohur, do jesh më i predispozuar të vazhdosh me aventura me femrat, apo të krijosh një lidhje serioze?
Duke parë e duke bërë. Dhe këtë e them pasi unë të krijoj një lidhje stabël, duhet të lindë një ndjenjë e fortë më parë. Nëse do më ndodhë kjo, atëherë pse jo?!
Tani që loja ka mbaruar, në jetën reale me cilët banorë do vazhdosh miqësinë?
I vlerësoj të gjithë banorët, ndërsa për miqësi të ngushtë veçoj Erionin, që është banori që e dua më shumë, e kam si vëllain tim në Tiranë.
Po ashtu miqësi do vazhdoj me Ermalin, Françeskën Gracianon.
Po me Liamin, si do të vazhdojë komunikimi? Ju lidhët miqësi brenda shtëpisë, por fitorja jote duket se i ka ftohur gjërat…
Është e kuptueshme se kemi qenë të dy shumë pranë fitores, dhe unë e kuptoj mirë Liamin në këtë pikë. Gjithsesi, unë e vlerësoj shumë si djalë, dhe mendoj se do e vazhdojmë miqësinë që lindi brenda shtëpisë. Të paktën nga ana ime jam i hapur 100 për qind për vazhdimin e shoqërisë sonë.