Arrestimi i gjimnazistes, policia: Fshehu provat e vrasjes së biznesmenit

Nga Dorjan
Shkruar ne 31 Mar 2012 ora 10:28am

ELBASAN – Një ditë pas arrestimit të një 17vjeçareje për ushtrim prostitucioni, policia e Elbasanit ka deklaruar se gjimnazistja është e implikuar në disa veprimtari kriminale të kryera në këtë qark dhe jo vetëm aty.
Dyshohet se S.M., e cila u prangos gjatë operacionit të koduar “TABAKANE 2” ka fshehur provat e vrasjes së biznesmenit Almir Cani. Ngjarje kjo e ndodhur më 22 shkurt të këtij viti. 37-vjeçari u qëllua për vdekje me dy plumba në kokë nga vëllezërit Olti dhe Flori Lamçja, përkatësisht 25 dhe 22 vjeç, të cilët u arrestuan më 9 mars të po këtij viti. 

Sipas burimeve nga policia lokale, nga kryerja e veprimeve hetimore paraprake rezulton se 17-vjeçarja seksi ka ushtruar prostitucion kundrejt një pagese që shkonte nga 100-150 euro me secilin klient. Por, aktiviteti i saj i paligjshëm në këtë fushë është shoqëruar edhe me përfshirjen e saj në krime të llojeve të ndryshme. “Adoleshentja S.M., rezulton se ka ushtruar prostitucion gjatë një periudhe 9-mujore dhe gjatë gjithë kohës është shfrytëzuar si punëtore seksi me pagesë nga tre prej gjashtë pjesëtarëve të një grupi kriminal të drogës të zbuluar pak javë më parë. Ndërkaq, gjimnazistja ka pasuruar karrierën e saj edhe me veprimtari kriminale”, – shprehen burime nga policia e Elbasanit.

Prokuroria e Elbasanit ka arritur të zbardhë paraprakisht një pjesë të veprimtarisë kriminale të 17-vjeçares. Ajo në të paktën një rast dyshohet se ka fshehur provat e vrasjes së biznesmenit Cani. Gjithashtu, organi hetimor ka dokumentuar prova të pakontestueshme se adoleshentja S.M. ka prostituuar për llogari të Eduard Muzhaqit, Ilir Rrapit dhe Altin Cakës të cilët tashmë janë të arrestuar për vepra të ndryshme penale.