Arrestohen dhunuesit e 15 nxënësve shqiptarë në Maqedoni.

Nga Dinejda
Shkruar ne 10 Mar 2012 ora 7:30pm

Sulmi ndaj nxënësve shqiptarë në Maqedoni, është dënuar nga autoritetet maqedonase. Menjëherë pas reagimit të kryeministrit Gruevski, i cili e dënoi këtë incident dhe kërkoi që autorët përgjegjës të marrin dënimin e merituar, Ministria e Brendshme maqedonase njoftoi se janë arrestuar personat që sulmuan 15 nxënësit shqiptarë.

Ishte pikërisht ministrja e Brendshme, znj. Jankullovska, e cila njoftoi se shqiptarët janë sulmuar nga 7 persona 17-18 vjeçarë, ndaj të cilëve do të vendoset masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Ndërkohë ditën e djeshme nëpërmjet një njoftimi, reagoi edhe ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, e cila dënon me forcë dhunën e ushtruar mbi nxënësit shqiptarë në Shkup, tek ktheheshin nga festimet e ditës së mësuesit.

MPJ beson në hetimin e plotë të kësaj ngjarje nga autoritetet e zbatimit të ligjit, vënien përpara drejtësisë dhe ndëshkimin e fajtorëve.

Ngjarje të tilla, të cilat cenojnë harmoninë dhe bashkëjetesën në Maqedoni, duhet të tejkalohen me qetësi dhe maturi nga shqiptarët dhe nga gjithë etnitë e tjera atje, thuhej në njoftimin e ministrisë sonë.

 

Ngjarja

Mbrëmjen e së mërkurës, në lagjen Kisella Vodë të Shkupit, 15 nxënës janë dhunuar nga një grup personash të maskuar, të cilët hynë në autobusin e zonës me të cilin udhëtonin nxënësit.

Ata kishin shkuar për të festuar ditën e mësuesit dhe po ktheheshin nga festa drejt fshatit të tyre, Çiflik.

5 prej 15 nxënësve, ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.