ARRESTOHET MJEKU, DYSHOHET SE DHUNOI PACIENTEN

Nga Dorjan
Shkruar ne 31 Mar 2012 ora 10:34am

Policia e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e një mjeku në komunën e Lipjanit nën akuzën për dhunim të pacientes së tij. I dyshuari për këtë vepër, sipas policisë, tani ndodhet në paraburgim, kurse rasti ka kaluar në duar të hetuesisë.

Rasti është konfirmuar dhe nga familjarë (prindër) të viktimës, të cilët ngjarjen e ndodhur ndaj vajzës së tyre, më 27 mars, të martën, e kanë denoncuar dhe në redaksinë e gazetës “Zëri”, të premten.

“Vajza ka shkuar të kontrollohet tek gjinekologu R.Z., i cili më pas dhe e ka dhunuar, duke ia mbyllur derën, e më pas duke thyer telefonin derisa ajo ishte përpjekur të më thërriste”, ka deklaruar Xh. G., babai i vajzës nga Sllovia e Lipjanit.

Për dhunimin që dyshohet se ka kryer mjeku, vajza është deklaruar edhe për “Zërin”, duke rrëfyer se si i është bërë dhunimi, derisa ajo ishte drejtuar aty për një ekzaminim mjekësor, por i ishte kërkuar nga mjeku se “që t’i bëhej ekzaminimi duhej të zhvishej”, që, sipas saj, kishte qenë fillimi i dhunimit që me forcë ishte ushtruar më pas ndaj saj.

Ajo ka thënë se mjeku ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë dhe tërë ngjarja ka ndodhur përreth dy orë në ordinancën e mjekut, e cila nga prindi deklarohet se gjendet dhe në afërsi të shtëpisë së mjekut.

Vajza N. N. ka thënë se në atë kohë nuk kishte ndodhur ndonjë motër medicinale apo asistente e doktorit në ordinancë. Ai kishte qenë vetëm dhe një gjë e tillë, sipas prindit të saj, nuk ishte imagjinuar të ndodhte, pasi ai (Xh.G.) kishte qenë kujdestar i fëmijëve të këtij mjeku dhe ishin njohur mirë.

Ai thekson se ky krim ndaj vajzës së tij duhet të ndëshkohet, prandaj ka kërkuar ndihmën e organeve policore dhe ka paraqitur rastin po atë ditë në polici, e cila sipas procedurave kishte dërguar vajzën në ekzaminim mjekësor.

“E ka bërë me paramendim dhe duhet të marrë ndëshkim”, deklarohet prindi i vajzës, i cili paralajmëron se rastin do ta dërgojë edhe tek organet e EULEX-it, pasi shpreh drojën se mos neglizhohet nga organet e policisë, që, sipas tij, kanë zvarritur sidomos ekzaminimin e mjekëve adekuatë për të verifikuar dhunimin.

Në qoftë se ndaj mjekut nuk vendoset me ligj dhe nuk ndëshkohet, ai thekson se këtë do ta zgjidhë me Kanun. Por, njëherë pret që kjo të zgjidhet nga organet gjyqësore.

Në anën tjetër Policia e Kosovës ka deklaruar se mjekut të arrestuar, i datëlindjes 1964, i është vazhduar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Florie Ahmeti nga zyra për informim e rajonit të Prishtinës në Policinë e Kosovës, ka thënë se rasti ka kaluar në organet e prokurorisë dhe se pritet konstatimi i Mjekësisë Ligjore.

“Është raportuar se një vajzë e ditëlindjes 1989 është dhunuar nga doktori në një ordinancë private”, ka thënë ajo.