ARSIMI SI TREGUES I DËSHTIMIT

Nga Dorjan
Shkruar ne 10 Pri 2012 ora 1:44pm

Një situatë alarmante është në arsimin universitar ku konkurrenca për të hapur universitete mundësisht në çdo katund tani është kthyer në anekdotë. Po ke pesë lekë dhe dy dhoma e një kuzhinë, shko dhe bli një licencë dhe ja hodhe. Pesë studentë vitin e parë, shtatë studentë vitin e dytë, tridhjetë studentë vitin e tretë dhe ke bërë universitet.

Kush ka paranë ai ka pushtetin, ai blen dhe mbretin, thonë për ata që se kanë për gjë që ta zgjidhin qesen për të arritur qëllimet e tyre fitimprurëse. Sa për arsimimin e brezave dhe edukimin e tyre profesional, kush po pyet. Çështja e licencave është bërë çështje për jetë a vdekje në institucionet e këtij dikasteri. Ky është arsimi i lartë sot në Shqipëri por që shërben për diçka: Nxjerrë në pah korrupsionin dhe paaftësinë, ryshfetin dhe kërbaçin, militantizmin partiak dhe bllokimin e të gjitha shtigjeve.

Ky është arsimi që mbolli dhe po kultivon ministria e tashme e ndoshta dhe në të ardhmen do të vazhdojë kështu. E vërteta është se qoftë në arsimin publik, qoftë në atë jopublik, sot po dalin teknicienët e së nesërmes, mësuesit e brezit të ardhshëm, elita e mundshme e kombit. Nëse gjithçka vazhdon me këto ritme, Atdheu dhe e ardhmja janë në rrezik. Mësimdhënies në Shqipëri i duhet kthyer dinjiteti. Në Shqipëri po ndodhë një çorganizimi i organizuar i arsimimit dhe koha na imponon që arsimi publik të shihet si përparësi, ndërsa ai privat të kompletohet.