ARTISTET E VOGLA DURRSAKE, PËR HERË TË TRETË NË FESTIVALIN E FËMIJËVE NË TURQI

Nga Dorjan
Shkruar ne 17 Pri 2012 ora 4:39pm

Një ekip i grupit të valleve të fëmijëve të QKF Durrësit do të nisen drejt Turqisë, ku do të marrin pjesë në festivalin e përvitshëm të fëmijëve, që zhvillohet nën kujdesin e kryeministrit turk, Rexhep Taip Erdogan, në qytetin Konya.

Në këtë konkurs, sipas drejtuesve të QKF-së, marrin pjesë ekipe konkurruese fëmijësh artistë të vegjël nga 40 shtete. Në bisedën me drejtuesin e ekipit të baletit, Arjan Plaku, ai tha për “Shekullin” se në këtë veprimtari vajzat durrsake do të përfaqësohen me 3 pjesë koreografike me një minutazh të përgjithshëm prej 12 minutash. Ai theksoi se është hera e tretë radhazi që ekipi i valleve të Durrësit merr pjesë në këtë event artistik, ku ka qenë mjaft i suksesshëm.

Sipas Plakut, konkursi i atjeshëm ka një mënyrë të veçantë organizimi. Ekipet që përzgjidhen në dy netët e para dalin natën e tretë në shfaqjen gala dhe nga kjo përzgjedhje ata fitojnë të drejtën për të marrë pjesë në konkursin që organizohet përsëri në  vitin pasardhës.

Ekipi i vajzave durrsake përbëhet nga 8 balerina të vogla të talentuara, të cilat janë mjaft premtuese në të ardhmen e jetës artistike durrsake. Pas përfundimit të festivalit, ekipet fituese priten në një mbrëmje të veçantë nga kryeministri Erdogan. Një vajzë nga ekipi është caktuar për t’i dhuruar një tufë me lule liderit të vendit mikpritës.

Ekipi do të niset në orët e mbrëmjes në linjën Tiranë–Stamboll dhe kur të arrijnë në aeroport, grupi i Durrësit do të pritet nga një përfaqësues i komitetit organizativ të festivalit, të cilët kanë vënë në dispozicion një autobus komod për artistet e vogla. Ky ekip, sipas drejtuesit Plaku, pritet  të kthehet në atdhe pas 7 ditësh.

Ata kanë si pikësynim që si edhe në 3 rastet e tjera të dalin fitues dhe shprehin sigurinë se do të jenë pjesëmarrës edhe në edicionin e pestë  në vitin e ardhshëm.