ARTISTI SHQIPTAR GJEN ÇELËSIN QË HAP ÇDO DERË

Nga Dorjan
Shkruar ne 17 Apr 2012 ora 2:04pm

 

 

 

 

 

 

 

 

Një nga shqiptarët më të njohur në Itali, Miloti, trajton temën e komunikimit mes kulturave.

Një çelës i thyer do ta mbyllte një derë përgjithmonë, por artisti, që si emër arti mban emrin e qytetit të lindjes, bën të kundërtën.
Ai krijon çelësa që vetëm hapin, por jo thjesht dyer materiale, por dyer komunikuese mes kulturash. Alfred Marashi, Miloti, një nga artistët bashkëkohorë shqiptarë më të njohur në vendin fqinj, hap në Corte Arte Contemporanea, në Firence, ekspozitën e tij personale, të cilën e ka titulluar “Passepartout”. Në ceremoninë e hapjes së saj, në datën 20 prill do të jetë i pranishëm edhe ambasadori shqiptar në Romë, Llesh Kola. Ekspozita e Milotit, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 16 maj, vjen nën kurimin e Rosanna Tempestini Frizzi e Carolina Orlandini, dy artiste italiane, të cilat janë shprehur mjaft pozitivisht për punët e Milotit. Edhe kësaj here ai vjen me vepra në skulpturë, ku projekton çelësa gjigantë, të deformuar, por edhe vepra në pikturë, ku personazhi kryesor është çelësi. “Puna e Alfred Mirashit, Milotit, është ajo e një artisti thellësisht të pasionuar. Do të guxoja të thosha se themelore në veprën e tij është dëshira për komunikim”, thotë Orlandini, e cila zbulon se, për të arritur qëllimin e tij, Miloti përdor një objekt simbol që është çelësi. “Çelësi, një temë që e hasim shpesh në punët e Alfredit është objekti-emblemë i mundësisë për t’i hapur rrugën kufijve.

 

Një nga punët e ekspozitës “Passepartout” 

Në këtë rast nuk bëhet fjalë për të hapur një derë reale, por për të rrëzuar një herë e përgjithmonë ato barriera që pengojnë një lidhje reale dhe të sinqertë mes njerëzve dhe kulturave të ndryshme. Çelësat zakonisht përdoren për të mbyllur, për të mbajtur diçka brenda apo për të mbrojtur atë çka është përtej një porte. Alfredi u jep atyre forma që i bën të papërdorshëm”. Sipas saj, mesazhi i veprave të Milotit është i drejtpërdrejtë dhe goditës: çelësat nuk duhet të përdoren më, sepse sot, si asnjëherë tjetër, ka nevojë për komunikim për të hyrë në një marrëdhënie direkte me tjetrin, të vendosen lidhje dhe të krijohen hapje. “Një çelës i thyer teorikisht është një instrument i panevojshëm, por në kontekstin e vendosur nga Miloti është më i dobishmi nga të gjithë”.  Ekspozita e prezantuar në “La Corte Arte Contemporanea” tenton të jetë një ogur i mirë për të hapur ato porta ende të mbyllura dhe për të kaluar barrierat drejt asaj që shpesh e ndiejmë si të ndryshme, pse jo dhe armiqësore. Artisti vetë ka jetuar në lëkurën e tij dhe ka eksperimentuar se ç’do të thotë takim mes kulturash kaq të afërta dhe të largëta njëkohësisht, si ajo shqiptare dhe italiane. Një emigrant shqiptar, që si mijëra të tjera u larguan nga vendlindja përmes detit. Një identitet dhe një kulturë mbi supe, të cilën duhet ta përplaste, ta kombinonte, ta integronte në një tjetër kulturë, atë të vendit pritës. Në këtë “duel”, artisti duket se ka dalë i fituar. Ka mundur të hapë ca dyer, të integrohet në kulturën fqinje, por pa e humbur identitetin që barti me vete. Sipas kuratores, çelësi i suksesit të Milotit është pikërisht dëshira për të qenë i hapur dhe për ta parë botën me një këndvështrim të ri dhe kurioz. Kjo do të thotë se “Passepartout” hap çdo portë.

Artisti
Alfred Mirashi, Miloti tashmë 42 vjeç, jeton në Itali prej 21 vjetësh. Ai është një ndër ata mijëra shqiptarë që u larguan në vitin 1991 me anije drejt Brindizit, duke marrë me vete një valixhe me ëndrra dhe pasionin për artin. Në fillim asnjë galeri nuk do të hapte dyert kanatë për të, ndaj dhe i është dashur të përpiqet shumë. Vlerat e artistit do të zbuloheshin që në vitet e para të Akademisë së Brerës në Milano. Në vitin 1997 fiton një bursë studimi Socrates Erasmus në Universiten e Art & Design Loughborough, Angli. Mbas shumë çmimeve dhe ekspozitave, në vitin 1999 fiton çmimin e parë mes pesë mijë studentëve, duke marrë pjesë me pikturat e tij në muzeun Permanente të Milanos, për të vijuar në vitin 2003 në Muzeun Maschio Angionino të Napolit me  ekspozitën personale “Le Veneri di Milot”, në vitin 2005 në Romë, 2006 në Catania, 2008 në Berlin e New York, 2009 në bienalen e Pragës etj.