Atentati në Durrës, policia: Dyshohet se ka lidhje me ekzekutimin e kosovarit

Nga Dinejda
Shkruar ne 06 Qer 2012 ora 5:12pm

DURRËS- Vrasja e 36-vjecari nga Durrësi Elvis Dedej pasditen e djeshme, dyshohet se ka lidhje me ekzekutimin e kosovarit Skënder Spahia. Burime nga policia e qytetit bregdetar bëjnë të ditur se kjo është pista kryesore në të cilët janë përqëndruar hetimet, nisur nga fakti që të dy krimet janë kryer në të njëjtin vend.

Ndërkohë që shkas i fortë për dyshime ka qënë dhe mjeti i gjetur i djegur dje pas vrasjes, te vendi i quajtur Kodër Arapaj, për të cilin mendohet se ka hyrë në territorin shqiptar nga Kosova. Sipas policisë dyshohet se autorët janë nga Kosova dhe pasi kanë ekzekutuar 36-vjecarin te Shkëmbi i Kavajës janë larguar në drejtim të rrugës së vjetër Tirane-Durrës, i kanë vënë flakën makinës dhe e kanë braktisur, duke tentuar keshtu edhe fshehjen e provave. Ndërkohë në lidhje me vrasjen 36-vjecarit, policia ka shoqëruar 20 persona të cilët po merren në pyetje nga strukturat e krimeve të rënda dhe të cilët dyshohen se mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Ndërkohë, që i riu i cili u vra mbrëmjen e djeshme rezulton person i kërkuar nga Interpoli për trafik droge në Belgjikë dhe Zvicër. Nga hetimet e para mësohet se atentatorët, e kane qëlluar 36-vjecarin nga jashtë automjetit. Ndërkohë policia ka gjetur ne trupin e 36-vjecarit mbrëmjen e djeshme edhe një pistoletë të tipit Glok, me 7 fishekë. Ndërkaq , po vijojne hetimet ne lidhje me dy krimet, përfshirë dhe vrasjen e 44-vjecarit nga Kosova, Skënder Spahia po te ‘Shkëmbi i Kavajës”.