Autobusi me studente bie në greminë, dyshohet për 12 viktima e 30 të plagosur.

Nga Dinejda
Shkruar ne 21 Maj 2012 ora 5:19pm

HIMARE - Një aksident tragjik ka ndodhur pasditen e sotme pranë urës së Vishës, në Himarë, ku një autobus me me studente të Universitetit ‘Aleksandër Xhuvani’  ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një greminë rreth 80 metra të thellë. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, autobusi me studente, të gjitha vajza,  po udhëtonte drej Sarandës. Dëshmitarët deklarojnë se autobusi është me targa të Elbasanit, ndërsa autoambulancat, zjarrfikësit dhe forcat e shumta të policisë kanë mbërritur në vendngjarje disa minuta pas ngjarjes. Burime nga policia bëjnë të ditur se paraprakisht mendohet për 12 viktima dhe rreth 30 studente të plagosur, të cilët janë nxjerrë nga autobusi të ndihmuar nga udhëtarë të rastit. Mësohet se ka qënë një autobus me turistë grekë ai që i ka dhënë ndihmën e parë, studenteve të përfshirë në aksident. Në vendngjarje ka mbërritur tashmë një helikopter i Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa një tjetër është nisur drejt Himarës. Korespondenti i News 24 Andrea Kola raporton se autobusi me të cilin udhëtonin studentet është rrëzuar në aksin Sarandë-Himarë, mes fshatit Vuno e Himarës. Ai sqaron se studentet shkonin në Sarandë për pushime tre ditore, ndërsa dëshmon se terreni ku ka rënë autobusi është i vështirë dhe rruga tepër e ngushtë. Ndërsa Shefi i Zjarrfikësve, Dilaver Laci ka deklaruar për News 24 se, “terreni ku ka rënë autobusi është shumë i vështirë dhe distanca është e madhe”. Për pasojë, sic tha ai, aksidenti mund të ketë pasoja shumë të rënda.

BERISHA NGA CIKAGO :P IKELLIM PER NGJARJEN
ORA-17:55-Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha u informua për aksidentin e rëndë, me pasoja tragjike, që ndodhi në Himarë, në të cilin kanë humbur jetën një numër studentësh, si dhe u plagosën shumë të tjerë.
Kryeministri Berisha, i cili ndodhet në Samitin e NATO-s në Çikago, është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet përgjegjëse në Tiranë, për operacionin e ndihmës emergjente ndaj të aksidentuarve, për të cilët po kërkon të bëhet çdo gjë, për të shpëtuar jetën e tyre.
Kryeministri shpreh dhimbjen dhe pikëllimin e tij më të thellë, për viktimat dhe ndan zinë dhe u shpreh ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave.

DREJT SPITALIT USHTARAK DY TË PLAGOSURA RËNDË
Ora 17:50- Një helikopter i Ministrisë së Shëndetësisë pritet që nga momenti në moment të mbërrijë në Spitalin Ushtarak, për të sjellë dy studente të plagosura rëndë, në aksidentin tragjik të ndodhur sot.
Në Spitalin Ushtarak, raportohet se ndodhen edhe ministrat e Shëndetësisë e Arsimit, përkatësisht Petrit Vasili e Myqerem Tafaj.

NGA ELBASANI U NISËN DY AUTOBUSË ME 75 STUDENTË
Ora 17:30- Korespondenti i Elbasanit, Fatmir Popja, saktësoi se studentët i përkasin Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të degës Gjuhë-Letërsi. Ai shtoi se rreth mesditës studentët ishin nisur me 2 autobusë nga Elbasani për të kaluar 1 ditë pushimi në Sarandë.

Sipas tij, njëri prej autobusave, ai me targë El 2274 është rrëzuar në humnerë. Gjithsej numri i studentëve është 75, të ndarë në dy autobusë, ndërsa shoqëroheshin nga 3 pedagogë.
“Janë nisur dy autobusë me 75 studentë, do kalonin vetëm një natë në Sarandë, njëri me 40 studentë dhe tjetri me 35 studentë, shoqëruar nga 3 pedagogë”.

POLICIA: 25 STUDENTË TE PLAGOSUR DREJT SPITALIT
Ora 17:21- Rreth orës 16.15’ të ditës së sotme është marrë informacion se në aksin rrugor Vlorë- Himarë, në vendin e quajtur Qafa e Vishës, një autobus me targë El 2274 B, me të cilin po udhëtonin disa studentë ka dalë nga rruga.

Menjëherë, drejt vendngjarjes janë nisur forca të shumta të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, të Repartit Delta Force dhe të Njësisë Rajonale të Policisë Rrugore për të dhënë ndihmën e nevojshme dhe për të menaxhuar situatën.

Duke vlerësuar ngjarjen e ndodhur, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është ngritur grupi i punës për menaxhimin e situatës. Ndërkohë drejt vendngjarjes janë nisur helikopterë të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe të Ministrisë së Mbrojtjes.

Aktualisht në vendin e ngjarjes nga strukturat e Policisë së Shtetit po bashkëpunohet dhe me strukturat e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, si dhe me strukturat e shëndetësisë. Deri në këto momente janë nxjerrë nga automjeti dhe janë transportuar drejt ambienteve spitalore 25 studentë.

Strukturat e Policisë së Shtetit të pranishme në vendngjarje po punojnë për t’i dhënë ndihmën e nevojshme të dëmtuarve nga kjo ngjarje dhe transportimin e tyre drejt ambienteve spitalore, si dhe për përcaktimin e shkaqeve që çuan në këtë aksident të rëndë.

NISHANI DHE BURGAJ NISEN DREJT VENDIT TË NGJARJES
Ora: 17:00 - Ministri i Punëve të Brendshme, Bujar Nishani, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, janë nisur drejt vendit të ngjarjes, me një helikoper të Ministrisë së Brendshme.