Autobusi me turistë ngec në Llogara, policia: Nuk u rrezikua jeta e pasagjerëve.

Nga Dinejda
Shkruar ne 28 Maj 2012 ora 5:36pm

VLORE – Policia e Vlorës konfirmoi lajmin e përhapur sot në media për ngecjen e një autobusi me turistë holandezë, një ditë më parë në Llogara.

Përmes një njoftimi për mediat, Policia e Vlorës bëri të ditur se “rreth orës 12:30 të datës 27.05.2012 në sallën operative të komisariatit të Policisë Vlorë është marrë njoftim se një autobus me turistë me shtetësi Holandeze me drejtim Llogara-Vlorë, për shkak të gjatësisë së tij dhe pjerrësisë së aksit rrugor gjatë manovrës për të kaluar kthesën në afërsi të vendit të quajtur “Cezma e Dervish Aliut” pjesa e poshtme e pasme e autobusit është fërkuar me asfaltin dhe ka ngecur.” 

Mësohet se në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e njësisë së policisë së qarkullimit rrugor, të cilat kanë zbritur të gjithë pasagjerët në tokë dhe nëpërmjet një mjeti tjetër kanë tërhequr autobusin deri në kalimin e plotë të kthesës dhe kanë bërë shoqërimin e tij deri në dalje të territorit të Qarkut Vlorë pa probleme.

Policia e Vlorës thekson se në asnjë moment nuk është rrezikuar as jeta e pasagjerëve dhe as rënia apo dëmtimi i autobusit.