Avioni me energji diellore në fluturimin e parë ndërkontinental

Nga Dinejda
Shkruar ne 06 Qer 2012 ora 5:34pm

Avioni “Solar Impulse” ka nisur ditën e djeshme fluturimin e tij të parë ndërkontinental pa asnjë pikë karburanti, duke u nisur nga Madridi në drejtim të Rabatit (Marok).

Nisja u bë në orën 05:23 (CEST), ndërsa ulja në Afrikën e Veriut është planifikuar në orën 23:00 me orën lokale, transmetohet nga mediat ndërkombëtare.

Siç edhe ishte parashikuar “Solar Impulse”, prototipi i avionit i cili funksionon me anë të energjisë diellore, është ulur në Rabat në kohën e përcaktuar. Projekti është ndër më revolucionarët në fushën e aviacionit civil i kohëve të fundit, nëse do të arrihej të realizohej e të përdorej në masë të gjerë, ky lloj i ri avioni do të sillte një përfitim të madh si në kursimin e shumave të mëdha për blerjen e karburantit por mbi të gjitha në ruajtjen e ambientit. 

Avionët në fakt sipas disa studimeve janë ndër mjetet e transportit që dëmtojnë më shumë ambientin, nisur nga sasia e madhe e karburantit që nevojitet për fluturimet e tyre.

Avioni që peshon 1.6 ton dhe me një hapje të krahëve si Airbus A340 (63.4 m) fluturon me katër motorë elektrikë, të cilët punojnë me mbi 12 000 elemente diellore. Shpejtësia mesatare e avionit është rreth 50 km / h.

Në vitin 2014 anëtarët e projektit “Solar Impulse” shpresojnë që të kryejnë një fluturim të plotë rreth Tokës me disa faza pa asnjë pikë karburanti.