AZIL EKONOMIK NË SUEDI, NJË MASHTRIM QË NA RIKUJTON TË KALUARËN

Nga Dorjan
Shkruar ne 05 Maj 2012 ora 1:04pm

Hijet e një mashtrimi të madh kanë përfshirë fshatrat e përmbytura të Shkodrës nga derdhja e HEC-eve gjatë dy viteve të shkuara, fatkeqësi e cila duket se po i ndjek sërish në një formë tjetër. Përnjëherë, banorë të fshatrave të përmbytur, por kryesisht nga Bushati, u ngritën për të shkuar në Suedi, vend në të cilin do të kërkonin azil ekonomik.

Një thashethem i përhapur në fshat, fliste se vendi nordik ofronte azil ekonomik për personat viktima të përmbytjes deri më datë 10 maj të këtij viti. Kaq është dashur që agjencitë e udhëtimeve në Shkodër të shisnin një mal biletash avioni me destinacionin Podgoricë-Beograd-Stokholm, e cila mësohet se kushton rreth 3 mijë dollarë. Shtypi raporton sot se ka pasur banorë të fshatrave që kanë shitur gjënë e gjallë të tyre për siguruara paratë e biletës për të plotësuar ëndrrën suedeze. Nga Policia ndërkohë raportohet se vetëm gjatë ditës së djeshme janë kthyer 50 persona me destinacion Suedinë në pikën e Muriqanit. Gjendja është bërë alarmante, aq sa Mapo shkruan se pritet që në Bushat të mbërrijë një delegacion nga Suedia për t’i shpjeguar banorëve se janë mashtruar se dhe asnjë vend i BE-se nuk ofron azil ekonomik.

Gazeta i ka kushtuar vëmendje gjatë këtyre ditëve një fenomeni të tillë duke shkruar sot se shkak për këtë supërmashtrim ishin bërë agjencitë serbe të udhëtimeve. Legjendë urbane apo mashtrim, një fenomen i tillë paraqet situatën e pashpresë të këtyre banorëve, të cilët të vetmen zgjidhje gjejnë largimin nga vendi edhe pse me shpenzime të mëdha, madje duke ndjekur një thashethem.