Banka Botërore insiston: Borxhi publik tepër i lartë

Nga Dorjan
Shkruar ne 17 Mar 2012 ora 8:10pm

TIRANE – Kryeekonomisti i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë, Indermit Gill, tha në një intervistë për median në Tiranë se niveli i borxhit publik, i pranueshëm për Shqipërinë, do të ishte 40 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Vendi ynë ka vendosur me ligj nivelin maksimal të këtij borxhi sa 60% të PBB-së dhe prej dy-tre vitesh, ndodhen praktikisht në këto nivele maksimale, madje, sipas opozitës, e ka kaluar edhe këtë shifër.

“Unë mendoj se, në rastin e Shqipërisë, gjëja që duhet parë është borxhi publik. Borxhi i Shqipërisë është i lartë, për vende me të ardhura të mesme-të ulëta. Në nivelin 60 për qind, ai konsiderohet 20 pikë përqindjeje ndaj PBB-së më i madh se normali. Kjo do të thotë se ka një kosto për ta financuar këtë borxh dhe kjo, zakonisht, merr fonde nga sektorë të tjerë, si shëndetësia apo arsimi”, theksoi Gill.

Ai ishte në Tiranë për të prezantuar raportin “Rritja e artë”, të publikuar së fundmi nga Banka Botërore, ku ai është dhe një nga autorët kryesorë.

“Është e bazuar në përvojën e vendeve të tjera në mbarë botën se cili është niveli më i mirë i borxhit publik, në të cilin vendi ka përparësi në tërheqjen e financimeve nga jashtë. Për çdo grup të caktuar vendesh, ka një nivel të caktuar borxhi të përballueshëm. Për ekonomitë e mëdha, të zhvilluara, është 90 për qind, për ekonomitë më të vogla të zhvilluara është 60 për qind, ndërsa për ekonomitë e ngjashme me Shqipërinë është 40 deri në 50 për qind. Përtej kësaj, duhet t’u tregosh më shumë investitorëve të huaj, në mënyrë që ata të të japin financime me terma të arsyeshëm. Gjithmonë gjenden financime, por, përtej nivelit 40 për qind, kostot bëhen më të shtrenjta”, u shpreh Gill.

“Borxhi publik në Shqipëri dhe përqindja e tij janë tregues negativ për ekonominë. Borxhi është më i lartë në krahasim me Maqedoninë, Kroacinë dhe Serbinë”, deklaroi Gill.