BANKA E SHQIPËRISË: INVESTIMET E HUAJA, RËNIE PIKIATË NË 2011-ËN

Nga Dorjan
Shkruar ne 15 Pri 2012 ora 2:18pm

Shqipëria pati një bilanc tejet negativ në drejtim të thithjes së investimeve të huaja përgjatë vitit të shkuar. Pështjellimi ekonomik që po kalojnë një pjesë e vendeve të BE-së por edhe problemet me pronën apo ngërçi i tejzgjatur politik, bën që në vend të hyjnë dhjetëra milionë euro më pak investimet krahasuar me vitet paraardhëse.

Banka e Shqipërisë konfirmon në raportin vjetor të saj, se në 2011-ën investimet e huaja ranë me 25.6 për qind, një ulje e ndjeshme kjo në raport me ecurinë e viteve të mëparshme. Banka e Shqipërisë deklaron se përgjatë periudhës janar-shtator 2011, vendi përfitoi rreth 430 milionë euro investime të huaja, ndërkohë të dhëna të tjera të tërthorta, siç janë ato të Institutit të Studimeve Ekonomike në Vjenë raportojnë një vlerë diku tek 580 milionë euro për të gjithë vitin, përfshirë edhe tre mujorin e katërt 2011. “Gjatë nëntëmujorit të vitit 2011, investimet e huaja direkte neto rezultuan rreth 430.1 milionë euro, rreth 25.6% më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Analiza e dinamikës vjetore së IHD-ve tregon se rënia e tyre i detyrohet daljes së kapitaleve në formën e kapitaleve të tjera të investimit direkt”, – deklaron Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani në raportin vjetor që i është dërguar Kuvendit.

Kjo shifër është një ulje drastike krahasuar me investimet e huaja të siguruara gjatë viteve 2009 dhe 2010, të cilat u vërtitën në rreth 1 miliardë dollarë. Kjo është edhe periudha më e mirë, kur vendi ka tërhequr vlerat më të mëdha në formë investimesh nga jashtë.

Investimet e huaja patën një rritje të fortë gjatë vitit 2007 duke arritur një volum prej 465 milionë dollarë. Rritja vijoi edhe në 2008-ën, duke kapur shifrën e rreth 640 milionë euro. Rritja vijoi edhe përgjatë vitit 2009 me rreth 675 milionë euro për të arritur në rreth 800 milionë euro. Ulja e shënuar gjatë vitit të shkuar është më e forta duke dhënë sinjale kuptimplota për vendin se duhet të zhvillojë politika më konkurruese për nxitjen e investimeve të huaja. Aq më tepër, kur të dhënat tregojnë se rreth 70 për qind e investimeve të huaja në Shqipëri kanë qenë nëpërmjet privatizimeve publike dhe koncesioneve.

Banka e Shqipërisë por edhe ekspertë të tjerë vlerësojnë krizën në BE si një ndër faktorët kryesorë që ndikon në uljen e investimeve në vend, por kësaj nuk i mungojnë edhe faktorë lokal. Një ndër to për shembull është problemi ende i pa zgjidhur me pronën. Nuk janë të pakta rastet kur sapo një investitor ngrihet për të investuar dalin në skenë një, dy apo më shumë pronarë për të njëjtën hapësirë duke nxjerrë probleme. Një fakt i tillë përmendet edhe në raportet e Bankës Botërore apo FMN-në. Krahas kësaj, gjatë vitit të shkuar vendi përjetoi një situatë të acaruar politike, e cila gjithashtu ndikoi në stepjen e investitorëve të huaj.

Rritja e investimeve të huaja (në %)

Investimet e huaja direkte patën një rritje të ndjeshme gjatë vitit 2007 dhe atij 2010, ndërkohë që sipas të dhënave të Institutit të Studimeve Ekonomike të Vjenës, ato përllogariten në rreth 820 milionë dollarë në 2011

2006       314 mln USD

2007       647 mln USD

2008       888 mln USD

2009      942 mln USD

2010       1.1 mld USD

Zhilla: 21 janari dhe kriza në BE, shkaktar të rënies

Rënia e investimeve të huaja gjatë vitit të shkuar në Shqipëri ka një serë shkaqesh, megjithatë ekspertët vlerësojnë dy prej tyre si më të rëndësishmit, ngërçin politik gjatë vitit të shkuar si edhe krizën që po kalojnë vende si Greqia dhe Italia.

Ilir Zhilla, Kryetari i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë jep një fakt interesant në lidhje me situatën e acaruar politike gjatë vitit të shkuar, e cila kulmoi me demonstratën e 21 janarit. “Mund të them se dy-tre muaj pas demonstratës së 21 janarit, të gjithë hotelet e Tiranës kanë qenë të zbrazëta. Zakonisht në to qëndrojnë biznesmenë. Kjo tregon se ata u larguan pas atyre ngjarjeve”, – shpjegon ai.

Dihet që bizneset kërkojnë një klime të qetë politike në një vend për të investuar, por nuk është ky shkaktari kryesore i rënies së fortë të investimeve të huaja në vend. Kriza që ka kapur vendet e BE-së, specifikisht Greqinë dhe Italinë, të cilët janë edhe investitorët më të mëdhenj në Shqipëri, shkaktuan rënien me 25 për qind të tyre gjatë vitit të shkuar. “Kriza që po kalojnë Greqia dhe Italia është pasqyruar me rënie të investimeve në Shqipëri. Megjithatë, ne mund ta shfrytëzojmë këtë situatë duke nxitur transferimin e investimeve nga ato shtete në vendin tonë. Kohët e fundit ka një rritje të numrit të bizneseve greke që janë transferuar në Shqipëri, për shkak edhe të taksave të larta që po aplikohen atje. Plus kësaj, bizneset greke kanë një eksperiencë të mirë në vendin tonë”, – shpjegon Zhilla.