Bashkia e Tiranës rregullore të re, jo dekolte e minifunde

Nga Dorjan
Shkruar ne 28 Pri 2012 ora 1:50pm

TIRANE-Bashkia e Tiranës vendos rregulla strikte për punonjësit e saj.
Rregullorja e re për organizimin, funksionimin dhe ndarjen e detyrave e përgjegjësive në aparatin e Bashkisë, e cila do të marri miratimin e Këshillit Bashkiak, vendos kritere për veshjen dhe kodin e etikës që punonjësit duhet të përmbushin gjatë orarit të punës.

Neni 16 i rregullores mbi etikën dhe kodin e veshjeve të punonjësve, përcakton se punonjësit duhet të paraqiten çdo ditë në ambientet e punës me kostume e kravata. Në nivele më të ulëta sesa rangu i drejtorit punonjësi, ata duhet të mbajë detyrimisht pantallona dhe këmishë serioze. 

Ndërsa punonjëset e kanë të ndaluar mbajtjen e fundeve apo fustaneve të shkurta apo këmisha e bluza me dekolte.

Rregullorja përcakton edhe kujdesin që nënpunësit duhet të tregojnë për higjenën në ambientet e punës dhe mbajtjen e flokëve.
Për punonjësit meshkujt ndalohet mbajtja e flokëve nën gjatësinë e përcaktuar, ndërsa për punonjëset ndalohen nuancat e forta dhe modelet ekstravagante.

Krahas veshjes është e ndaluar kategorikisht edhe konsumi i duhanit dhe pijeve alkoolike në ambientet e Bashkisë madje edhe në bar-kafen që ndodhet brenda aparatit të Bashkisë. Tarraca dhe ambientet e tjera jashtë Bashkisë janë të vetmet ambiente ku do të lejohet pirja e duhanit.
Nënpunësit dhe punonjësit, janë të detyruar t’u përmbahen normave të etikës gjatë orarit të punës, thuhet në rregulloren e re.