Berat, prezantohen projektet per mbrojtjen e lagjeve muzeale

Nga Dinejda
Shkruar ne 28 Maj 2012 ora 6:34pm

BERAT- Në ambjentet e Këshillit bashkiak Berat u organizua sot një takim i zgjeruar me pjesmarrjen e stafit të bashkisë, grupeve të interesit, shoqërisë civile, drejtorisë së monumenteve etj, ku u prezantuan projektet për mbrojtjen e lagjeve muzeale nga rënia e gurëve dhe ai i ndërtimit të bypass-it të qytetit, i cili parashikon edhe disiplinimin e lumit Osum.

Projektet e paraqitura janë realizuar nga bashkëpunimi i kompanisë shqiptare “Al-Geosystem” me kompaninë zviceriane “Geobruck”. Sipas përfaqesueseve të kompanisë projektuese, zbatimi i projektit që synon mbrojtjen e lagjeve muzeale nga rënia e gurëve ka nje kosto prej 155 mijë euro, ndërsa ai i ndertimit të bypass-it , 40 milionë euro.

“Realizimi i projektit të bypass-it do të zgjidhë përfundimisht edhe problemin e trafikut të mjeteve të rënda, të cilat nuk do të kalojnë më brenda qytetit. Kjo zgjidhje është brenda planit rregullues të qytetit, me rrjetin rrugor, perspektivën dhe me problemet emergjente që duhet të trajtohen”, u shpreh kryebashkiaku Fadil Nasufi. 

Ndersa projekti per mbrojtjen e lagjeve muzeale synon të zgjidhë për një periudhë kohore rreth 50 vjecare problemin e rënies së gurëve nga pjesa shkëmbore e lagjes muzeale “Kala”. Sipas projektit, mbrojtja do të bëhet nëpërmjet barrierave, të cilat konsistojnë në vendosjen e rrjetave metalike të zinkut me alumin. Kjo rrjetë mbrojtëse do lidhet me sfina metalike të vendosura në thellësi të shkëmbit dhe do të mbajë një peshë deri në 25 tonë, gjë që garanton plotësisht mbrojtjen nga gurët.

Nga zbatimi i projektit të bypass-it do të përfitohen rreth 42 ha tokë. Projekti parashikon shtrirjen e unazës së qytetit nga ura e re në pjesën verilindore, lindore e juglindore, deri në lagjen Uznovë, si dhe ndërtimin e një ure të re mbi lumin Osum dhe të një tuneli me gjatësi 1.2 km.