Berati i “lan borxhet” Xhevahir Spahiut

Nga Dinejda
Shkruar ne 31 Maj 2012 ora 5:38pm

TIRANE - Ne kemi shumë borxhe ndaj teje, ndaj njerëzve të artit e të kulturës, ndaj të mençurve e të urtëve! Uroj që Baba Tomori të të japë forcë për të kapërcyer dhe momentin e vështirë shëndetësor që po kalon, duke mirëpritur të tjera surpriza nga krijimtaria juaj në të ardhmen”. Me këto fjalë të kryebashkiakut Fadil Nasufi e priti Berati poetin Xhevahir Spahiu në promovimin e monografisë për të. Duke e konsideruar poetin si themelues të “Shkollës Xhevahir Spahiu” ku gjithë plejada e poetëve dhe artistëve merr dije, frymëzohet, ushqehet dhe bashkëjeton me veprën e tij. Nasufi foli edhe për librin “Sfidat e poetit” të Nuri Dragojit. “Spahiu vjen në këtë libër, ashtu siç është, i vërtetë, ku copëzat e jetës së tij janë histori më vete, ku sjelljet edhe episodet e punës së tij janë shembuj vlerash, virtyti, shqetësimi e mendje të zhvilluar e progresiste, një personazh sa fshatar aq edhe akademik, sa i thjeshtë aq edhe i madh, sa i shkujdesur aq edhe i vëmendshëm, sa rrëfimtar aq edhe filozof, sa kritik dhe i papajtueshëm aq edhe njerëzor e fisnik”, – vlerësoi kryebashkiaku. Për Nasufin, Spahiu është poet i një formati të madh dhe zëri më përfaqësues, më i plotë dhe më i fuqishëm i brezit të tij në letërsi. Ai veçoi gjatë promovimit të librit edhe ato çka janë thënë deri më tani për poetin e njohur, teksa citoi Ali Alinë që e cilëson si “kurorë dafine të mbarë poezisë shqiptare”, apo Dritëro Agollin që e sheh Spahiun si një prej më të mirëve që ka Shqipëria. “Poet me shumë shprehje të fuqishme metaforike, me përplasje idesh, me një frymë lirike dhe zhvillim dramatik të vargut, me një figuracion të plotë, por kryesisht me ide të thella tronditëse!”, – vërejti kryebashkiaku Nasufi. Si njohës i mirë i letërsisë, i pari i qytetit të një mbi një dritareve, foli edhe për atë që çmon më shumë në poezinë e Spahiut, thellësinë.
“Ai këndoi në një vend ku liria ishte ‘utopi’ – ka shkruar një studiues italian. Xhevahir Spahiu ka sakrifikuar jetën dhe qetësinë e tij për të thënë te vërtetën. I takon çetës së rebeluar të poetëve, të racës zemërake të poetëve!”, – vlerësoi Fadil Nasufi.
Në promovimin e monografisë “Xhevahir Spahiu, sfidat e poetit”, kryebashkiaku tha se libri i Nuri Dragojit nuk është biografi dhe memoristikë, por një botim i këndshëm ku autori ka ditur të sjellë tek lexuesi, poetin dhe veprën e tij nëpërmjet njohjeve dhe shkrimeve të dhjetëra bashkohësve, personaliteteve dhe kolegëve të Xhevahir Spahiut! “Ne beratasit e konsiderojmë Spahiun ‘tonin’, jo vetëm se ka lindur në Malind të Skraparit, por ngaqë e do shumë Beratin dhe e pohon sa herë që i referohet qytetit tonë, thotë: ‘Ne skrapalinjtë kemi dy kryeqytete, Beratin dhe Tiranën”, – deklaroi kryetari i bashkisë.
VLERA E POETIT
Teksa foli mbi cilësitë e poetit, Nasufi theksoi se ai është përjetësisht rebel dhe i zemëruar, i zemëruar me fatet e popullit të tij, me vonesat historike, me burokracinë dhe me korrupsionin, me padrejtësinë dhe amoralitetin politik dhe cenet morale të të tjerëve. “Poezia e Spahiut ishte poezi e mitit të prejardhjes, e kultit të vendlindjes, e hyjnizimit të lashtësisë, e krenarisë për historinë, atdheun, njeriun, është poezia e shpirtit të lirë njerëzor, të një shpirti antikonformist!”, – u shpreh Nasufi. Ai vërejti se “udha” e Xhevos është udha e njeriut që vuan mundimin e shekullit, sfilitjen e fatit historik kombëtar, qysh prej kohërash pagane”, – është poezia e njeriut që lumturohet prej mirësisë dhe që vetëflijimin për botën e madhe e sheh gati – gati si asgjësim kronologjik të jetës.
Duke i konsideruar njerëzit e artit e të kulturës si miq të Beratit, kryetari i bashkisë së qytetit 2500 vjeçar pohoi se ndryshe nga politikanët e qeveritarët që e shfrytëzojnë dhe nuk e ndihmojnë siç duhet Beratin, njerëzit e kulturës kanë dhënë shumë dhe kanë kontribuar për këtë qytet.
Nga ana tjetër,ai tha se gjatë kohës që ka qenë në drejtim të qytetit, disa personalitete të kulturës shqiptare kanë krijuar vepra të rëndësishme në rang kombëtar, duke zbuluar vlerat e qytetërimit të qytetit tonë të lashtë. E megjithatë, Nasufi pranoi se promovimi i tyre është bërë në mënyrë modeste, ndërsa nuk nguroi t’iu shprehte mirënjohjen e t’i falenderonte të gjithë artistët e në mënyrë të veçantë poetin Xhevahir Spahiu.
MESIM PREJ ARTI
Arti i mëson njerëzit përmes porosive të dhëna mes rreshtash. Një mësim të tillë, Nasufi e ka marrë më shumë se 20 vite më parë nga Dritëro Agolli. Këshillat e urta të burrit të mençur ai i mban mend ende sot. “Në një konferencë për talentet e reja të zhvilluar në Korçë në vitin 1990 kam fiksuar një koment të Dritëro Agollit se si lind dhe zhvillohet talenti! I madh dhe me emër, tha Dritëroi, bëhet ai që vuan në jetë, që përplaset me vështirësitë, që sakrifikon, që zemërohet që rebelohet, që kundërshton, që ngrihet kur rrëzohet, që ka guxim e kurajë, që ka dhembshuri, e jo ai që gogësin nga pija e zijafetet, jo ai që si bir mbreti, perandori, gjenerali a udhëheqësi rend pas qejfeve, preferon gjahun, kalorësinë, peshkimin a kazinotë dhe e kalon kohën me konsumin e bollëkut që trashëgon!”, – kujtoi ai. Nisur nga kjo, Nasufi mendon se konkluzioni i Dritëroit vlen edhe për Spahiun sepse ka pasur një fëmijëri jetimi dhe një rini plot sakrifica jetësore. Sipas tij, Spahiu lë në çdo poezi një grahmë të frymës së vet, një rrahje të zemrës së vet, një xhevahir prej shpirtit të vet, ndërsa udha e Xhevos është udha e vetvetes. Nasufi vërejti se ideali i Spahiut është fisnikërimi i kësaj bote e ky është një ideal shumë i lashtë që lind bashkë me njeriun! Duke e përmendur këtë fakt, i pari i qytetit vlerësoi se fisnikërimi i shoqërisë, përndritja e saj duke i shëruar plagët e barbarisë dhe egërsisë është në krye ideal, i cili rron përmbi kohëra, dhe poezia e Xh.Spahiut për këtë arsye është e përjetshme.
Mbasi pranoi se i takon atij brezi që është rritur dhe edukuar me poezinë dhe fjalën e Xhevahirit, kryebashkiaku pohoi se shumë prej vjershave e këngëve të kompozuara prej krijimeve të Xhevos vazhdon t’i recitojë e këndojë sot e gjithë ditën. “Do të vdes/I kam borxhe nënës/ që s’ja ngrita varrin./ I kam borxhe lisit/ që s’ja hodha pjergullën/ I kam borxhe dashurisë/ që s’ja vodha të dielat/ I kam borxhe krimit/ që si vura emër…/ U kam borxh të gjallëve/ U kam borxh të vdekurve/ Gurin e varrit e shes/ të laj borxhet !/ Dhe vë pikën këtu/ Tani mund te flisni/
Për borxhet që më keni ju !”, qe njëra prej poezive që Nasufi citoi para të pranishmëve.
POLITIKA DHE LIBRI
Është i rrallë fakti që një politikan dhe drejtues pushteti të të dalë përpara personaliteteve të artit, lexuesve dhe bashkëqytetarëve me autoritetin e admirueshëm të njohësit shumë të mirë të artit dhe kulturës, publicistit, historianin, analistit dhe kritikut të talentuar. I tillë është vlerësuar kryebashkiaku i Beratit, Fadil Nasufi, nga mjaft personalitete që kanë zgjedhur qytetin muze për të promovuar vlerat e tyre të krijimtarisë, qofshin festivale të këngës apo ato në fushën librave artistik e historik. Në të gjitha këto aktivitete protokolli e ka dashur që i pari i qytetit të mbaj fjalën përshëndetëse. Por, në fakt fjala e pushtetarit Nasufi nuk ka qenë thjeshtë një përshëndetje, fjala e tij ka qënë analizë e hollë letrare për librat apo aktivitetet e tjera kulturore e artistike, analizë që brenda saj ka gjithmonë edhe pjesën e kritikës. Kur në Berat vijnë grupe artistike, ai veç vlerësimeve bëhet edhe pjesë e tyre duke kënduar bashkë me ta. Ai është vlerësuar si mik i librit nga shumë personalitete të artit dhe kulturës. Të tillë e kanë quajtur nobelisti Orhan Pamuk, Ali Aliu e Kim Mehmeti, Dritëro Agolli e poeti Xhevahir Spahiu. Fadil Nasufi u paraqit si njohës shumë i mirë i letërsisë edhe përpara pak ditëve në promovimin e librit ” Xhevahir Spahiu, sfidat e poetit”, ku pjesëmarrës ishte edhe vet poeti Spahiu.