BERISHA, DOPIETË DHE KAMPION NË AUSTRALI

Nga Dorjan
Shkruar ne 23 Pri 2012 ora 2:19pm

Brisbane Roar fitoi titullin kampion në Australi ditën e djeshme,  ndërsa përsëri vendimtar ishte ish-futbollisti i Kombë-tares shqiptare, Besart Berisha. Në finalen kundër Perth Glori skuadra e Brisbane ishte në disavantazh të një goli deri në minutën e 85-të, kur Berisha shënoi një gol fantastik me kokë, duke barazuar shifrat. Por në minutën e 7-të të shtesës, futbollisti shqiptar do të ishte protagonist në një penallti që ngjalli mjaft polemika, duke e kthyer vetë në gol dhe duke shpallur kampione skua-drën e tij. Ky ishte titulli i dytë rresht për Brisbane Roar, ndërsa për 27-vjeçarin Berisha ishte goli i 19-të, dhe është njëkohësisht golashënuesi më i mirë i kampionatit australian. “Jam shumë i lumtur për titullin e parë që fitova në karrierën time. Kemi bërë një sezon shumë të mirë, me ndeshje mjaft të dyluftuara dhe jam shumë i lumtur jo vetëm për ekipin, por edhe për veten time, pasi u shpalla edhe golashënuesi më i mirë për herë të parë në karrierën time. Këtë titull dua t’ia dedikoj më së pari familjes sime”, ka pohuar për mediat australiane dje lojtari. Sakaq, dje ka shënuar një gol edhe Emiljano Vila në fitoren në transfertë të Janinës ndaj OFI Kretë (0-2). Më parë kishte shënuar Tzanis në minutën e 63-të dhe më pas mesfushori shqiptar vulosi rezultatin në minutën e 72-të. Një gol me peshë ka shënuar dje edhe Xhevair Sukaj në kampionatin iranian të futbollit. Sulmuesi shkodran shënoi në minutën e 88-të, duke i dhënë fitoren skuadrës së tij, Sepahan në transfertë ndaj Folad Khuzestan. Sepahan kaloi në avantazh me anë të Sidsalaehi në minutën e 8-të, por vendësit barazuan me anë të Afshin në minutën e 79-të. Nëntë minuta më vonë erdhi edhe goli i Sukajt.

Ukrainë, shënon  Dallku
Mbrojtësi kosovar Armend Dallku ka shënuar një gol për skuadrën ukrainase Vorskla Poltava. Në minutën e 50-të të ndeshjes mbrojtësi ka sigluar edhe golin e barazimit për skuadrën e tij në përballjen ndaj Zorias. Ky është goli i parë i Dallkut për Vorsklan në këtë edicion. Për këtë skuadër luajti dje edhe sulmuesi kosovar i Kombëtares, Ahmet Jonuzi. Ndërkohë ka luajtur dje edhe Bakaj në barazimin e Çernomorets 3-3 me Metalist Kharkiv. Bakaj u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 25-të.