Berisha: Interneti, jo mollë e ndaluar për qytetarët, qeveria do ndërhyjë

Nga Dorjan
Shkruar ne 02 Maj 2012 ora 2:31pm

TIRANË- Në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha bëri të ditur se qeveria do të ndërhyjë për të mundësuar ofrimin e internetit me çmim të lirë për çdo qytetar shqiptar.

Shefi i qeverisë theksoi se “në përpjekjet tona kemi bërë gjithçka që në Shqipëri të funksionojë konkurrenca e ndershme, por ndryshe nga rruga që u zgjodh për telefoninë celulare, duke dialoguar me operatorët, përsa i takon internetit do të krijohet një bord për përcaktimin e çmimit në favor të qytetarit.” 

“Ne duam të furnizojmë internet falas për qytetarët shqiptarë dhe këtë nuk mund t’ua kërkojmë operatorëve privatë. Posta Shqiptare është e autorizuar dhe po ngre me shpejtësi të gjithë infrastrukturën dhe qytetarët do të mund të marrin internet falas nw 1710 pika. Kështu shënojmë hapin përfundimtar drejt Shqipërisë dixhitale. Një janë autostradat reale në të cilat udhëtojnë qytetarët dhe autostradat virtuale në të cilat lundrojnë të rinjtë dhe në tërësi qytetarët shqiptarë.”- theksoi kryeministri.

“Kurrë nuk kemi bërë përpjekje që me ndërhyrje publike që nëpërmjet importit të këtij apo atij artikulli të dominojmë tregun, ndërhyrjet rregullatore janë të përbotshme, por për internetin do ta lejojme këtë gjë, sepse nuk duhet të jetë mollë e ndaluar për askënd.”- vijoi më tej Berisha.

Komunikimi, nënvizoi më tej kreu i qeverisë, ka njohur revolucionin më të madh në 20 vitet e fundit dhe ky përbën dhe tiparin më thelbësor të zhvillimeve, jo vetëm në rrafshin ekonomik por edhe social e më gjerë. Shqiptarët, tha ai, disponojnë një shkallë të telefonisë mobile 180 %, ndër më të lartat në Europë.

Kryeministri Berisha bëri të ditur se, qytetarët shqiptarë përfitojnë gjerësisht nga mjetet dhe mundësitë e reja të komunikimit. Në këtë drejtim, kreu i qeverisë vuri në dukje se ka një përmbysje të madhe të çmimeve krahasuar me vitin 2005.

Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave miratoi strategjinë për zhvillimin e transmetimeve dixhitale në Shqipëri. Duke folur për këtë çështje, kryeministri Berisha vuri në dukje përparimet e bëra vitet e fundit në këtë drejtim në fushën e medias.

“Është bërë një punë shumë serioze dhe mediat që kanë filluar transmetimin dixhital falas meritojnë mirënjohje dhe inkurajim. Media të tjera po ndjekin këtë rrugë dhe kjo është shumë pozitive”, tha kryeministri.

Berisha theksoi se strategjia parashikon që brenda vitit 2015 të garantohet transmetimi dixhital në shkallë vendi dhe dokumenti ka bërë përcaktimet përkatëse.