Bernard Shehu, koreograf i ceremonisë së Lojërave Olimpike rinore të Salernos

Nga Dorjan
Shkruar ne 04 Qer 2012 ora 6:30pm

30-vjeçari shqiptar, balerin e mësues baleti, thirret këtë vit për koreografinë dhe interpretimin e ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike të Salernos. Vjet bëri të nëjtën gjë për ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike të Maceratës.

Bernard Shehu, balerin, koreograf e mësues baleti do të koreografojë dhe të do të interpretojë  ceremoninë e hapjes së lojërave olimpike rinore të provincës së Salernos që  çelen më 9 qershor në Paestum. Kjo detyrë i është besuar pas suksesit që pati vitin e shkuar me ceremoninë e hapjes së Olimpiadës së provincës së Maceratës.

Ashtu si vitin e shkuar, edhe në Paestum, Bernardit i është besuar edhe përzgjedhja e balerinëve që do të interpretojnë. E para publikut do të dalë edhe ai vetë, duke vallëzuar krah të ftuarës speciale, Noemi Arcangeli, balerinë dhe soliste e AterBalletto.

Edhe pse më pak i dëgjuar se kolegë të tij që kanë pasur karrierë televizive, Bernardi është një balerin i zoti që nderon artin shqiptar. Ka qenë pjesë e kompanisë Balletto di Roma, ka punuar në teatrin komunal të Firences si asistent i Fabrizio Monteverdes dhe sot bashkëpunon e jep mësim në projekte të ndryshme baleti.

Hapat e parë në balet i ka hedhur në shkollën e baletit në Tiranë që kur ishte i vogël. Nga aty në Azerbajxhan: “Ndodhi kështu sepse është një vend ish sovjetik dhe aty vazhdon tradita e shkollës ruse, që është e mirënjohur për nivelin e lartë të baletit”. Qoftë në Shqipëri qoftë në Azerbajxhan ai ka marrë bazat më të mira të traditës klasike që ofronte shkolla ruse në këto vende.

Me artin bashkëkohor është afruar në Itali, fillimisht në veri e më pas për vite me radhë në kompaninë prestigjioze të Baletit të Romës. “Italia ishte mundësia e parë që m’u dha dhe që e shfrytëzova. Kam ardhur në vitin 2000 në Parma. Më pas kam kaluar në kompaninë e baletit të Romës”.

Sot Bernardi jep mësim të vallëzimit klasik dhe bashkëkohor në disa shkolla të Marche-ve, zhvillon stage në mbarë Italinë dhe herë pas here merr pjesë në projekte interesante. “Këtë vit, veç mësimdhënies, – thotë për Shqiptariiitalise.com – kam qenë në jurinë e konkursit Danza Colori që u mbajt në Macerata. Ishte diçka e rëndësishme, në juri ishte edhe drejtori i Sferisterios së Maceratës, Francesco Micheli. Ndërsa në verë, veç ceremonisë për Olimpiadën e Salernos kam edhe disa stage e ndoshta do të bëj edhe koreografitë për një sfilatë mode për një markë të rëndësishme”.