Bertina: Erioni, kapitull i mbyllur për mua

Nga Dinejda
Shkruar ne 21 Maj 2012 ora 12:23pm

Një nga ish banoret më të diskutuara të reality show-t “Big Brother”, i është rikthyer vëmendjes së shtypit rozë ditët e fundit. Bertina është diskutuar edhe këtë herë lidhur me marrëdhënien e saj me Erionin dhe janë hedhur dyshime se nga ana e saj ka një dëshirë për ribashkim. Çifti, i cili apasionoi një pjesë të mirë të publikut me historinë e tyre të dashurisë që lindi dy vite më parë në shtëpinë e “Big Brother”, prej gjashtë muajsh janë të ndarë. Ata kanë qenë shumë të rezervuar lidhur me ndarjen dhe asnjëri prej të dyve nuk ka pranuar të japë prononcim ndonëse përpara një fakti. Nëse do të kishte një ribashkim do të gëzoheshin shumë fansa të çiftit, por mesa duket për Bertinën nuk është aspak kështu. Pas aludimeve të këtyre ditëve ajo ka vendosur që për herë të parë pas shumë kohësh të bëjë një rrëfim në të cilin tregon të vërtetën e saj, dhe pakënaqësitë që ajo ka marrë nga thashethemet e shumta. Bertina tregon:
“Është mëse normale që ne shpesh flitemi dhe përflitemi nëpër shumë media për çdo pjesë të jetës tonë, dhe këtë e kam pranuar pa problemin më të vogël, për aq kohë sa do të mbajmë statusin e personit publik. Por më neveriten së tepërmi shpifjet dhe shkrimet pa asnjë lloj baze, apo niveli.

Jam çuditur kur kam lexuar ca poezi, që janë prej adoleshentësh, apo thashetheme që tregonin se kam dëshirë të kthehem tek Erioni… Bëhem kurioze të di cili është burimi i gjithë kësaj.
Unë zotëroj një adresë në ‘Facebook’ jo me emrin tim, por duke përdorur një nofkë, pikërisht që të jem sa më private dhe të evitoj gjëra të tilla. Rezultoi se nuk e pata gabim këtë mënyrë të vepruari. Sidoqoftë të gjitha ato që janë shkruar më janë dukur komike. Sa i përket lidhjes time me Erionin, më duhet të sqaroj se është diçka që ka përfunduar para 6 muajsh dhe unë e kam konsideruar kapitull të mbyllur këtë pjesë, të kaluar tashmë.

E vetmja gjë që mund të mbetet nga kjo histori është respekti për ato dy vite të kaluara dhe respekti për Erionin, as më shumë dhe as më pak se kaq! Absolutisht nuk do më pëlqente që dikush të luante me imazhin dhe karakterin tim, e t’i vinin shtojca qesharake. Në të tilla raste do ketë gjithmonë jo thjesht një reagim, por “luftë” të vërtetë nga ana ime. Besoj se të njëjtën gjë do të bënin të gjithë ata që do ndiheshin të fyer si në rastin tim.

Ajo që kam menduar është që ndoshta dikush ka hapur ndonjë adresë me emrin dhe mbiemrin tim dhe ka mundësi që kjo të jetë përdorur si informacion për thashethemet që dolën. Po kjo nuk është aspak e drejtë, sepse nuk mund të merret për bazë diçka e tillë, e duke u nisur nga kjo të flitet e të shkruhet për jetën e dikujt. Unë faktikisht jam mësuar me shkrime të llojeve të ndryshme, por nuk mund të qëndroja indiferente ndaj publikimeve kaq qesharake,të cilat më nxjerrin si një Bertinë adoleshente. Këtë nuk do ta lejoj kurrë.