Bien interesat e kredive në lekë

Nga Dorjan
Shkruar ne 19 Mar 2012 ora 3:37pm

Interesat e kredive në lekë në fund të vitit 2011 kanë pësuar rënie krahasuar me një vit më parë.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për shumicën e afateve të maturitetit, kreditë në lekë janë dhënë mesatarisht me një çmim më të ulët.Kjo ecuri reflekton politikën monetare çliruese të Bankës së Shqipërisë, por edhe konkurrencën në rritje mes bankave, në kushtet kur kërkesa për kredi paraqitet relativisht e dobët.

Si kreditë afatshkurtra, ashtu edhe ato afatmesme, janë disbursuar me norma interesi më të ulëta, ndërkohë që vetëm për kreditë me afat maturimi mbi pesë vjet është regjistruar një rritje e lehtë e normave të interesit.Kreditë me maturitet nga 0 në 6 muaj, nga 6 në 12 muaj, nga 1 në 3 vjet, dhe nga 3 në 5 vjet janë ulur të gjitha me rreth 1 pikë përqindjeje.Vetëm kreditë me maturim mbi pesë vjet kanë njohur një rritje të interesit mesatar me rreth 0.2 pikë përqindjeje.Kjo rënie shton shpresat për një tkurrje të mëtejshme të interesave të kredive edhe gjatë vitit 2012.Në fakt, Banka e Shqipërisë në gjashtë muajt e fundit është treguar mjaft aktive, me tre ulje të njëpanjëshme të normës bazë.Ky është një parakusht i rëndësishëm për të pasur kredi më të lira, por natyrisht që nuk është faktori i vetëm.Një rol më thelbësor ka vlerësimi i rrezikut të kredisë, që në kushtet kur ekonomia po përkeqësohet, ka më shumë të ngjarë të vlerësohet në rritje.Një rol të rëndësishëm do të ketë edhe ecuria e treguesit të kredive me probleme.Për të përballuar shpenzimet për mbulimin e tyre, bankat detyrohen të aplikojnë marzhe më të larta interesi për kreditë.Nëse, ashtu siç shpresojnë bankat, kreditë me probleme do të stabilizohen gjatë këtij viti, kjo mund të ketë një efekt pozitiv edhe në çmimet e kredive të reja.