BIZNESI, BORXHET E QEVERISË PO RRITIN KREDITË E KËQIJA

Nga Dorjan
Shkruar ne 21 Pri 2012 ora 4:32pm

Raporti i Stabilitetit Financiar: 54% e qytetarëve kërkojnë të marrin “fajde”

Banka e Shqipërisë: Financat të paguajnë punët publike.

Problemi i kredive të këqija tashmë nuk duhet të mbetet vetëm me vënien e alarmit, por kërkon zgjidhje konkrete. Në raportin e Bankës së Shqipërisë për stabilitetin financiar në tremujorin e dytë të vitit të kaluar, reflektohet një rënie e cilësisë së kredisë si dhe një rritje në vazhdim të kredive të këqija. Në këtë kontekst, zgjidhja duhet të jetë me masa konkrete dhe sa më shpejt. Burime nga Banka e Shqipërisë bëjnë me dije se tashmë ka një përpjekje për ta zgjidhur këtë problem me ndryshime ligjore, por edhe me marrëveshje me aktorët e përfshirë. Pritet që shumë shpejt të mbahet një takim ku do të jenë të pranishme: Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë dhe aktorë të tjerë, për të vendosur rreth një zgjidhjeje për situatën. Ky takim vjen pas atij të mbajtur në muajin shkurt mes të njëjtëve aktorë. Për Bankën e Shqipërisë zgjidhja e problemit të kredive të këqija është ndryshimi ligjor, por më të lakuarat mbetet ajo e zbatimit të kolateralit si dhe shlyerja e borxheve që qeveria ka ndaj sektorit privat. “Duhet përmirësuar pjesa e ekzekutimit të kolateralit nga njëra anë dhe, në anën tjetër, ka shumë detyrime të prapambetura të qeverisë ndaj biznesit. Duhet që këto detyrime të shlyhen dhe të veprohet në kohë, pasi kjo krijon atë zinxhir borxhi që biznesi e reflekton te sektori bankar me pamundësinë për të paguar kredinë”, sqarojnë të njëjtat burime.
Huamarrja
Kur vjen fjala për të marrë borxh, shqiptarët do t’i besonin më shumë një të afërmi apo të njohuri, sesa bankave. Në anketimet e zhvilluara nga Banka e Shqipërisë reflektohet pikërisht kjo tendencë. Frekuenca e atyre që do të drejtoheshin te një individ, pra një borxh informal dhe jo te një bankë, është 54 për qind, kurse ata që do të merrnin një borxh në rrugë formale zënë 42 për qind të përgjigjeve. Po kështu, qytetarët janë më të orientuar për borxhin në lekë  “Rreth 26.8 për qind e të anketuarve pohojnë se kanë aktualisht një borxh për të paguar. Burimi i marrjes së borxhit: “personi fizik” në 54% të huamarrësve dhe “bankat” në 42%. Qëllimet e marrjes së borxhit mund të jenë blerja apo riparimi i një prone të paluajtshme 38%, konsumi 23% dhe zhvillimi i biznesit 10.8%. Euroizimi i huamarrjes vijon të mbetet i ulët (94% e rasteve në lekë)”, thuhet në raportin e BSH. Ajo që vlen të theksohet në fakt për individët, sipas raportit të Stabilitetit Financiar, është se si paraqitet gjendja e tyre në sektorin bankar, ku në fund të 2011-s individët paraqiten me situatë kreditore me një rritje të depozitave me 96.4 miliardë lekë. Në anën tjetër kemi bizneset, të cilat nga anketimi i BSH-së rezulton që 49.9 për qind e atyre të intervistuara pohojnë se kanë aktualisht një hua për të paguar dhe 74.4% e të anketuarve kanë vendosur kolateral në formën e pasurisë së paluajtshme. Në final, sipas raportit të BSH-së, bizneset në fund të vitit 2011 paraqiten me situatë debitore me 281 miliardë lekë dhe pjesa më e madhe e kësaj debie është në valutë, plot 204 miliardë lekë.

Borxhi / individet
. 26.8% e të anketuarve pohojnë se kanë një borxh

. 54% do të drejtoheshin për borxh te një “person fizik”

. 42% do të drejtoheshin për borxh te bankat

. 38% borxh për të blerë pasuri të paluajtshme

. 23% borxh për konsum

. 10.8% borxh për zhvillim biznesi

. 94% e borxhit merret në lekë