Borko Stefanoviç, një mik i madh i amerikanëve?!

Nga adnan
Shkruar ne 26 May 2011 ora 3:46pm

Në drejtim kinse të përmirësimit të raporteve politike Kosovë-Serbi, kohën e fundit, vëmendja e tërë opinioni vendor dhe atij ndërkombëtar, është orientuar kah do bisedime të ashtuquajtura “teknike” që po zhvillohen në mes të këtyre dy shteteve. Pa marrë parasysh qëllimin e vërtet të tyre, ato çfarë ne në realitet po shohim, nuk janë asgjë tjetër, veçse disa premisa transparente të anës tjetër konspirative të këtyre bisedime, të cilat, si informata zyrtare të bëra përmes medieve vendore dhe ndërkombëtare, neve qytetarëve (qyqarëve) të zakonshëm, na lejohet të dimë në këtë drejtim

Në të vërtetë, dukja e ngjarjes skenike e tërë kësaj pjese teatrale, është vërtet ashtu sikurse edhe ne po e shohim në ekzekutim. Tashmë, edhe përpiluesi i skenarit dihet, aktorët kryesor po ashtu (një mashkull dhe një femër), ndërsa vendi i ndodhjes së ngjarjes, aty-këtu, varësisht ku e lyp nevoja e momentit të duhur (Bruksel-Prishtinë-Beograd).
Tanimë, perdet janë ngritur, reflektorët janë ndezur dhe loja (aktrimi) ka filluar.
Duke u bazuar në rrjedhojat e gjertanishme të ngjarjeve nga akti i parë, kam përshtypjen se përfundimin e këtij projekti “madhor” teatral -politik, shumica e publikut tonë dëshiron ta sheh fundin ashtu si ju është premtuar-me “hepy end”, ndërsa, unë, si një pesimist i papërmirësueshëm i te gjitha veprimeve dhe ndërmarrjeve të kësaj elite tone politike ne pushte, atë e vlerësoj si komedi me elemente të sigurta të përfundimit (prologu) tragjiko-komik.
Edhe pse gjatë aktrimit, aktorët në rolet kryeso nga të dy palët, fillimisht janë treguar nga pak me emocione (tremë), ekipi i fuqishëm realizues që qëndron prapa këtij projekti, patjetër është kujdesur që këto mangësi të pritshme fillestare të mos vërehen aq nga masa.
Loja vazhdon! Populli me shumë ankthe dhe emocione të tensionuara, vëmendshëm e përcjellë këtë performacë  iluzore që po zhvillohet para syve të tij. Si duket, atyre, shumë pak në këtë lojë, po ju intereson skenografia, enterieri, kostumografia, niveli artistik … ata po presin vetëm përfundimin. Epologun e këtij dramatizimi.
E, nga ana tjetër, mu aty në publikë janë disa që ende pa përfunduar kjo lojë teatrore, e dinë shumë më parë epilogun e saj… Janë, pra, “ATA” disa, të cilëve si mysafir nderi, ju janë rezervuar ulëset e rreshtave të parë. Janë, pra, mu “ATA” disa, të cilëve me këtë rast shumë pak ju intereson ngjarja, sepse atë e dinë që më parë, por vetëm loja, ekzekutimi, aktrimi sa më i mirë, përshtypja dhe efekti mbresëlënës tek të tjerët …
Janë, pra, pikërisht “ATA”,  producentë, regjisorë ….dhe ekzekutorë kryesor të kësaj loje skenike në prapavijë, të cilëve, në fund, kur të ndizen reflektorët dhe bien perdja, ne si publiku i mjerë vetëm duhet t’iu duartrokasim dhe asgjë tjetër…

Borko Stefanoviç, një mik i madh i amerikanëve?!

Gjithmonë publiku që shikon një pjesë teatrale, më së paku në atë moment merret me mënyrën se si është bërë përgatitja e vënies në skenë e të gjithë atij projekti teatral.

Pa tentuar që me këtë rast edhe ne të merremi me detajet tjera rreth parapërgatitjeve të madha ndërkombëtare në këtë drejtim, në pika të shkurta desha të ndalem në biografitë e shkurtra të dy aktorëve në rolet kryesore: Edita Tahirit, nga pala kosovare, dhe Borko Stefanoviçit nga ajo serbe.

Edhe pse, në shikim të parë na duket se që të dy për këto role, janë përzgjedhur nga shefat e tyre shtetërorë, e vërteta qëndron diku tjetër. Edhe Edita edhe Borko, në fakt janë pro-amerikanë, gjë që qartë reflekton se interferencën dhe bekimin kryesor në këtë përzgjedhje e kanë bërë SHBA-të.

Afërsia e aktores sonë kryesore në këto bisedime, z. Edita Tahiri, me politikën amerikane, është e ditur për ne kaherë dhe kjo aspak nuk mund të vihet në dyshim. Pro-amerikanizmi i saj ka një historik të gjatë që nga koha e akademisë së saj politike rugoviane. Përndryshe, me arsimim paraprak superior është inxhiniere e Elektronikës dhe telekomunikimit, ndërsa në studime postdiplomike: magjistër-e e Administratës Publike, e shkolluar në Universitetin e Hardvardit – SHBA.

Ka qenë një prej pjesëmarrësve në procesin negociator të Rambujesë. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2007, si kryetare e ADK-së, hyri në koalicion me PDK-në dhe pikërisht fal këtij bashkimi, ajo arriti të merr vota të mjaftueshme dhe të zgjidhet si deputete e Parlamentit të Kosovës në mandatin e kaluar.

Edhe pse partnere e koalicionit të Thaçit, ajo shumë pak ishte e afërt dhe e preferuar nga ai. Bile-bile, thuhej se as nuk flisnin në mes veti. Mu për këtë, një kohë të gjatë edhe ishte lënë pas dore për ndonjë emërim të saj në poste të larta qeveritare. Pas të ashtuquajturës riformatizimit të qeverisë “Thaçi 1”, emërimi i saj  si ministre e  Ministrisë së Administratës Publike, u bë vetëm pas interferimit ndërkombëtar, gjegjësisht të SHBA-ve. Po ashtu, edhe në qeverinë “Thaçi 2”, Edite në këtë rolë kryesor përkrah Borkos së Serbisë, u gjet pikërisht fal SHBA-ve. Përndryshe, sa për më i preferuari dhe më afër zemrës për këtë rol i Hashim Thaçit, ka qenë bashkëpunëtori dhe miku i tij i ngushtë, Bekim Çollaku.

Nga ana tjetër, aktori partner në këtë pjesë teatrale i Edita Tahirit, Borko Stefanoviç nga Serbia, aktualisht me funksion është drejtor politik në Ministrinë e Punëve të jashtme të Serbisë. Para këtij funksioni, Stefanoviçi,  disa vite ka qenë zëvendës i ambasadorit të Serbisë në SHBA, Ivan Vujaqiqit. Përndryshe, në Serbi ai është i njohur si kontribuues mi i madh i themelimit të lobit serb në SHBA me titull: “Serbien Unity”

Me zgjedhjen e Barak Obamës si president të Shteteve të Bashkuara, atëbotë, mediat serbe kanë raportuar një lajm sensacional se shefi i shtabit të Obamës, Ram Emanuel, i quajtur Rambo, është  një mik i madh i serbëve. Atë si mik serbëve ju ka afruar, pikërisht Borko Stefanoviç, zëvendësambasador i Serbisë në SHBA dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të z. Vuk Jeremiç.

Emanuel dhe Stefanoviç, gati tri vjet në Uashington, kanë punuar së bashku për forcimin e marrëdhënieve të mira serbo-amerikane. Pra, Borko Stefanoviç është njeriu më përgjegjës për formimin e grupit ndikues (lobues) pro serb në Kongresin Amerikan.

Tupani bie për ata që kanë veshë, apo?!

P.S. Sa për kuriozitet, për dashamirët kosovar të muzikës “ROCK”, në lidhje me Borkon, desha të bëj edhe një informatë: ai është BAS-KITARIST i  rok grupit të mirënjohur nga Novi Sadi, me titull “Generacija bez budućnosti (GBB) “ (“Gjenerata pa të ardhme” përkthim.).