Braktisi makinën me 450 kg hashash 6-muaj më parë, kapet 21-vjecari.

Nga Dinejda
Shkruar ne 24 Pri 2012 ora 6:56pm

SARANDË- Një i ri nga Gjirokastra, i kërkuar për pjesëmarrje në tentativën e trafikimit të një sasie të konsiderueshme droge, ka rënë sot në prangat e policisë së Sarandës.

Enea Koçia, 21 vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër, është ndaluar nga agjentët e Antikrimit të Sarandës, pasi dyshohet se në 30 nëntor 2011, bashkë me disa persona të tjerë, nuk i janë bindur thirrjes së policisë dhe pasi kanë shtuar shpejtësinë e dy automjeteve, i kanë braktisur ato në fshatrat bregdetare të Sarandës, bashkë me 450 kg drogë e një armë zjarri tip “Kallashnikov”.

Ngjarja për të cilën akuzohet Koçia ka ndodhur në aksin nacional Vlorë-Sarandë. Policia e rendit, ajo kufitare e Sarandës dhe reparti special Delta Force Vlorë, i kanë bërë thirrje për të ndaluar drejtuesve të fuoristradës “Mercedes-Benz” ML, me targa CE 764 ZY dhe mini-furgonit “Hyndai” pa targa.

Dy mjetet kanë shtuar shpejtësinë dhe janë gjetur më pas të braktisura në Bunec e Shën Vasil të Sarandës. Kontrolli brenda tyre zbuloi 450 kg “cannabis sativa” e disa metra larg, të hedhur, një armë zjarri “Kallashnikov” me dy krehëra me 60 fishekë. Gjurmët e gishtave të lëna në fuoristradën ML, bënë të mundur identifikimin e aturit Enea Koçiaj. Pas kësaj, u deshën rreth dy muaj që Prokuroria e Sarandës në fillim të vitit të vendoste në mungesë ndaj tij masën “arrest në burg”.

Paraprakisht mendohet se droga kishte si destinacion të parë Igumenicën (Greqi) e më pas do të mbërrinte në kryeqytetin grek, Athinë.