Bullgari, digjen 500 kilogramë drogë me vlerë 15 milionë euro

Nga Dorjan
Shkruar ne 21 Mar 2012 ora 9:27pm

SOFJE- Rreth 566 kilogramë drogë, me një vlerë më tepër se 15 milionë eurosh, u dogjën sot në Sofje.

Lajmi u konfirmua nga Zyra e Doganave në Sofje, e cila bën me dije se droga e djegur u konfiskua gjatë operacioneve të policisë dhe kontrolleve kufitare. 

“Mes drogave të djegura, të konfiskuara gjatë operacioneve të policisë dhe kontrolleve kufitare, gjendeshin 90 kilogramë heroinë, 34 kilogramë amfetaminë dhe 442 kilogramë marijuanë, me një vlerë në tregun e zi prej 30 milionë levash, ose 15,3 milionë eurosh”, deklaroi Zyra e Doganave.
Sipas procedurës Zyra e Doganave shkatërron rregullisht substanca të paligjshme, pasi kanë shërbyer si pjesë dëshmie dhe pasi dënimet e trafikantëve kanë hyrë në zbatim.
Bullgaria, që ndodhet në një nga rrugët kryesore të drogës mes Lindjes së Mesme dhe Evropës Perëndimore, ka sekuestruar një total prej 2 350 kilogramë drogë në vitin 2011, përfshirë 423 kilogramë heroinë dhe 361 kilogramë amfetaminë. Rreth 29 tonë drogë janë djegur në Bullgari gjatë njëmbëdhjetë viteve të fundit.