Burrel, furgoni bie në humnerë, policia kërkon të humburin.

Nga Dinejda
Shkruar ne 26 Mar 2012 ora 1:34pm

BURREL- Një aksident i rëndë ndodhi mbrëmë në Burrel. Një furgon mercedes me targa të Dibrës ka përfunduar në humnerë në sektorin C të rrugës për në Burrel. Furgoni për një metër ka qenë duke përfunduar në ujërat e liqenit të hidrocentralit të Shkopetit, gjë do t’i sillte përmasa tragjike këtij aksidenti.

Në këtë aksident janë përfshirë katër persona që janë gjendur në makinë, që të gjithë meshkuj të moshës nga 25 deri 40 vjeç. Tre prej tyre janë dërguar për ndihmën e shpejtë, ndërsa kërkohet për personin e katërt, që mendohet të ketë qenë në makinë, por që nuk është gjendur në vendin ku ka rënë makina. 

Nuk dihet nëse ai ka rënë në ujërat e këtij liqeni, apo ka rënë në një vend, që deri në orët e vona të natës nuk është gjendur. Fillimisht, kanë qenë banorët e fshatit Mavesh, që gjendet përballë humnerës, që kanë konstatuar aksidentin dhe kanë shkuar në ndihmë të personave që kanë qenë në makinë në momentin e ngjarjes. Banorët kanë arritur të marrin të plagosurit e parë dhe me makina të rastit që kanë kaluar në këtë segment kanë mundur të dërgojnë në spitalin e Burrelit dy prej tyre, ndërsa një i tretë është dërguar në spitalin e Lezhës. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe së bashku me banorët e zonës kanë filluar kërkimet për personin e katërt.

Nuk është mësuar për identitetin e personave në makinë, ndërkohë që policia, krahas kërkimit të të zhdukurit, po punon për të zbardhur se si ka ndodhur aksidenti. Sektori C i rrugës për në Burrel ka një kthesë të fortë dhe fillimisht është menduar se shpejtësia e automjetit ka qenë shkaktari i kësaj ngjarjeje. Gjithsesi, policia deri mbrëmë vonë në darkë nuk nxori arsyen e këtij aksidenti, që rrezikoi jetën e tre personave, ndërsa një i katërt konsiderohet i zhdukur. U mësua vetëm se drejtuesi i automjetit ka qenë nga Peshkopia.