Butrint, dalin në dritë objekte të rralla pas shumë shekujsh

Nga Dorjan
Shkruar ne 09 Maj 2012 ora 2:57pm

Tre ditë më parë, arkeologu amerikan David R. Hernandez dhe kolegu i tij shqiptar, Dhimitër Çondi, me ndihmën e ekspeditës shqiptaro-amerikanë, Institutit Arkeologjik Tiranë dhe Universitetit të Notre Dame (SHBA), nxorrën në dritë dy objekte të rralla arkitektonike dhe urbanistike në qytetin antik të Butrintit, në jug të vendit.

Një godinë njëkatëshe dhe një shesh qëndrimi, që mendohet se përkasin periudhës August, shekulli I-rë, para dhe pas erës sonë, u zbuluan në anën lindore të teatrit antik. “Godina shoqërore ka shërbyer si Bazilikë, ku nderoheshin perënditë, ndërsa sheshqendrimi, me gjatësi 21 dhe gjerësi 75 metra, ka shërbyer si pikë tregtare për banorët e atëhershëm”, shprehet profesor Çondi.

Sipas tij, këto dy objekte u mbuluan me dhe pas një tërmeti të fuqishëm që është shfaqur në kohën e mesjetës. “Fatmirësisht, lëvizja sizmike ka bërë që sot të kemi dy objekte të plota. Dyshemeja e sheshqëndrimit është shtruar me pllaka guri të bardhë, me dimensione 70 deri në 90 centimetra, ndërsa godina pothuajse është e pa dëmtuar”, pohon Çondi.

Dyshemeja është ndërtuar nga gurorja e Karaburnit, që njihet për cilësi të lartë dhe fortësinë e saj.”Ky lloj guri është përdorur shumë në Apolloni. Zbulimet e fundit tregojnë se tashmë kemi të bëjmë me të njëjtën lloji guri edhe në Butrint”, shprehet Çondi.
David R. Hernandez, i cili ndjek më vëmendjen bisedën, shprehet entuziast për dy zbulimet e fundit. Për të, zbulimi i sheshqëndrimi ishte “qershia mbi tortë”. “E prisja të nxirrja në dritë të diellit bazilikën, por sheshqëndrimi, me gjatësi 75 metra dhe gjerësi 21 metra, ishte një dhuratë nga Zoti”, shprehet Hernandez. Arkeologu amerikan thotë se në anët e forumit, krahas shkallës me tre rrjeshta, ka ndërtime të karakterit shoqëror, me vlera të larta arkitektonike dhe urbanistike.

“Sivjet jemi në rrugë të mbarë. Gjurmët tregojnë se kemi të bëjmë me një objekt me karakter tërësisht shoqëror, me një nivel të lartë arkitektonik”, pohon Hernadez, duke shtuar se objekti është të shtresat e para, ku arkitektura e zbuluar dhe materiale arkeologjike i përkasin periudhës mesjetare. Hernandez thekson se gjatë gërmimeve janë zbuluar monedha pafund, çelësa, si dhe objekte personale. “Për vetë natyrën e qytetit, Butrinti ka një jetëgjatësi në vazhdimësi nga ajo prehistorike deri në atë otomane”, specifikon Hernandez.

Më tej, Hernandez thotë se në ditët në vazhdim gërmimet arkeologjike do të arrijnë periudhën antike. “Periudha antike mendohet të jetë në thellësi mbi 3 metra. Deri tani kemi arritur tek gjysma. Të shpresojmë që gërmimet e mëtejshme të sjellin surprizat e tjera”, përfundon arkeologu amerikan.