Çdo ditë tre femra bëhen operacion në Shqipëri për rikthimin e virgjërisë

Nga Dorjan
Shkruar ne 15 Mar 2012 ora 12:04am

Është një fenomen që ka shpërthyer kohët e fundit. Bëhet fjalë për operacione për rikthimin e virgjërisë. Sipas disa statistikave që publikon Osservatorio Balcani e Caucaso në një shkrim, çdo ditë tre vajza shqiptare i nënshtrohen operacionit për rikthimin e virgjërisë. Këto vajza janë nga 18 deri në 30 vjeç. Ato vendosin që të paraqesin veten si të virgjëra tek mashkulli me të cilin do martohen, duke hedhur pas krahëve marrëdhëniet seksuale të së shkuarës. Operacionet bëhen në mënyrë sekrete. Për 20 minuta, femrat ribëhen të virgjëra. Sipas raportit, kostoja e një operacioni të tilla në klinikat publike është 200 euro, kurse në ato private më shtrenjtë. Drejtoresha e maternitetit Koço Gliozheni, Rubena Moisiu thotë se bëhet fjalë për një fenomen kompleks që nuk shqetëson vetëm vajzat që vijnë nga zonat rurale. Shumica e operacioneve, thotë ajo, bëhen në Tiranë.

Shkak për rritjen e operacioneve të tilla, thonë gjinekologët dhe sociologët, është emigrimi i meshkujve shqiptarë jashtë vendit. Ata gjejnë shpesh femra për tu martuar në vendin e tyre. Virgjëria është një sinonim i besimit tek partneri femër si dhe një ogur i mirë për marrëdhënien në çift.